21 Gusht, 2023 - 5:30 pm
Së fundi, skenaristi Zymber Kelmendi, ka botuar librin ‘Ditari i fundit i njeriut që mungonte’, libër ky që në vete shtjellon tri dramat ‘Njeriu që mungonte’, ‘Ditari’ dhe ‘E diela e fundit’, përcjell KultPlus.
Në vijim gjeni recensimin e regjisorit dhe regjisorit Isa Qosja për tri dramat ‘Ditari i fundit i njeriut që mungonte’:
Tekstet teatrore, “Njeriu qe mungonte” “Ditari” dhe “E diela e fundit”, vijnë me veçoritë e tyre si nga qasja tematike dhe autoriale por edhe nga një këndvështrim i thellë i autorit. Lexuesi e gjen të përbashkëtën e këtyre dramave në shqyrtimin e fateve të karaktereve të cilët jetojnë dhe ballafaqohen me një botë që shpirtërisht dhe fizikisht nuk është e tyre… Dhe këto paradokse qe e bëjnë jetën të vështirë dhe të vrazhdë nganjëherë na duket se janë të domosdoshme. Zymber Kelmendi me shumë mjeshtri na e ka shpërfaqur këtë dimension ironik në mjedisin tonë dhe jo vetëm.
Dy tekstet e para janë të vendosura në një kohë dhe hapësirë pothuajse të njëjtë; në një shoqëri qe ballafaqohet me trauma dhe luftë për rimëkëmbje. “Njeriu qe mungonte” ndërtohet mbi ndërthurjen e kthimit, ndërthurje kjo mjaft e njohur si në teatër poashtu edhe në kinematografi. Autorë të ndryshëm i qasen kësaj ndërthurje me shumë për të zbuluar apo rizbuluar një botë të re të ndjenjave dhe pritjeve të paparapara. E konsideroj se, si ndërthurje e tillë, kjo bartë mundësi reale që të zhytet në patetikë, por në rastin e “Njeriut…” autori me mjeshtri i ka ikur kësaj prite duke e shndërruar atë në kërshëri dhe përgjegjësi emocionale. I gjithë ekspozicioni nuk ka të bëjë me kthimin si proces apo me rrugëtimin si diskripcion. Këtu ndërtohet mosbesimi i të munguarve me mosbesimin e pritësve. Në vijim autori hedh dritë dhe hije mbi të kaluarën duke mos e harruar të tashmen por duke pretenduar te ardhmen. Derisa drama vije natyrshëm si pjesë e brendshme e rrethanave dhe karaktereve, ironia mbështjell gjithë veprën por jo për ironinë në vetvete; ajo lexohet dhe përjetohet edhe si mallkim edhe si shpresë, teksa veprimi i karaktereve dhe ballafaqimi me rrethana gati absurde, bëhet gjithnjë e me i pranishëm. Nganjëherë me vije të ulërij nga një absurd i thellë, i zymtë, i vrazhdë qe zbatohet në strukturën dramaturgjike si pasojë e realitetit objektiv. Nuk me ka ndodhur qe të jam lexues i kontrasteve të tilla në dramaturgjinë tonë dhe me tej. Zymber Kelmendi i ka vendosur të gjitha këto kontraste, të natyrshme e të panatyrshme, të vështira e më pak të vështira, të vrazhda e më pak të vrazhda, në një harmoni të mrekullueshme. Nuk jam i bindur që autori do donte të jemi kaq paradoksal si mjedis por poashtu besoj në shqyrtimin e tij dramaturgjik brenda kohës dhe hapësirës ku ai e ka vendosur rrëfimin (dramën) tonë. Drama “Njeriu qe mungonte” kërkon hapësirë skenike për ta jetuar njëherë e mirë paradoksin tonë dhe për të vlerësuar se a ka arsye që ne nganjëherë mendojmë se paradokset e tilla janë edhe të domosdoshme në kohën qe po e jetojmë. Dhe jo vetëm në skenë por edhe në ekranin magjik “Njeriu qe mungonte” do të fliste fuqishëm me gjuhën e përsosur të imazheve.
Nuk ka më pak paradokse dhe ironi edhe në dramën “Ditari” i cili e trajton fatin e një “heroi të gjallë”. Ai në ditarin e “Ditarit” e përshkruan të kaluarën e tij më shumë si dëshmi të kohës dhe të ngjarjeve se sa si impresion. Në ditarët e “Ditarit” kryesisht janë ata që nuk janë më por në ditar duan të kontrabandohen ata që nuk kanë qenë e tani janë. “Ditari” është prapë një moment nga e kaluara që trondit të tashmen, një ditar personal i cili do bëhet edhe projektimi i të tashmes dhe të ardhmes se shumë njerëzve “pranë” autorit të ditarit. Çuditërisht dhe paradoksalisht as heroi i “Ditarit” nuk vihet përballë botës qe e rrethon, po sikur tek “Njeriu qe mungonte”. Ai sikur pret njëfarë vetëdijesimi të të tjerëve, gjë e cila nuk ndodhë as tek “Njeriu qe mungonte” as tek “Ditari”! Lexuesi edhe mund të bëjë pyetjen: pse këto karaktere nuk reagojnë, nuk përballen, nuk luftojnë…? Sepse ata i takojnë të kaluarës. Ata tanimë janë arkivuar në mbamendjen e të tjerëve. Jo në kuptimin e mosqenies në kohën e tashme por në kuptimin e ndryshimit. Ata janë përballur, kanë luftuar, kanë ndryshuar dhe kanë harruar në mënyrë që bota të jetë kjo që është tani. A nuk është edhe kësaj radhe e pranishme ironia që brenë palcën. Asnjëri nga këto personazhe nuk kërkon asgjë për sakrificën qe ka bërë. Mjaftohen të jenë gjallë dhe të lirë. Por bota rreth tyre kërkon më shumë! Jam i lumtur që edhe njëherë, në edhe një vepër njoha dorën e autorit që më inspiroi për të njohur më mirë psikologjinë e njeriut në rrafshin mizor të ironisë dhe paradokseve.
Drama e tretë “E diela e fundit” mund të konsiderohet si tekst më i dallueshëm nga dy tekstet e para, si për nga përcaktim dhe shqyrtimi tematik, po ashtu edhe për nga vendosja në rrafshin gjeografik dhe kohor. Ruajtja e unitetit të kohës dhe hapësirës, numri i kufizuar i karaktereve, trajtimi i mentalitetit dhe kapja e momentumit në kategoritë e qenësishme të njeriut, krijojnë një ndjesi të një bote sa intime aq edhe reale. Një ekspozicion emergjent, na i prezanton pasaportat e karaktereve qe nuk janë aq fluid si në dramat e mëparshme. Ballafaqimi i një gjermani që tenton vetëvrasjen dhe një shqiptari qe e pengon në synimin e tij, është padyshim një koncept i ri në dramën shqipe. Një shqiptar dhe një gjerman?! Diçka qe tingëllon si një shaka e thënë me mijëra herë në forma të ndryshme, tek çdo popull dhe kulturë, në “E diela e fundit” merr kuptim dramatik nga dilemat dhe vendimet e njeriut, në ballafaqim me jetën dhe vdekjen. E bukura dhe tragjikja do burojë nga përshtypja dhe paragjykimet për karaktere të tilla aq sa vet ndërtimi i veçantë i këtyre karaktereve të cilat kanë diçka shqiptare, diçka gjermane…, kanë gjithçka njerëzore.
Përfundimisht, dua të vë në pah se, Zymber Kelmendi është eksplorues i shpirtit të njeriut, i botës së brendshme të tij, i shpërthimit emocional por shpesh edhe i heshtjes shpërthyese, i pajtimit me fatin dhe i mospajtimit, i ironisë dhe paradokseve. Zymber Kelmendi është autor postmodern në dramaturgjinë shqiptare. Këto tri vepra, janë dëshmi e vulës autoriale dhe kontiunitetit kreativ të tij, në fushën e artit dramatik, qoftë si dramaturg qoftë si skenarist./KultPlus.com