5 Mars, 2018 - 10:00 pm
Zyrtari për komunikim publik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ismet Osdautaj, i cili ditë më parë lëshoi një komunikatë në emër të institucionit që përfaqëson me disa dhjetëra gabime në drejtshkrim, ka kërkuar falje për lëshimet e bëra.
Ai ka thënë se me të drejtë i janë potencuar në media gabimet, por thotë se “kam qenë duke punuar në kushte të jashtëzakonshme, në një kompjuter personal me defekte teknike”.
“Me anë të kësaj letre, dëshiroj të sqaroj edhe njëherë publikisht se komunikata e lartpërmendur, e cila doli me gabimet e përfolura në media (me të drejtë), për shkaqe teknike është dërguar me e-mail privat. Komunikata është përgatitur me kërkesën e Kabinetit të Ministrit, me qëllimin e ofrimit të sigurisë për studentët, lidhur me shqetësimet që ata kanë për njohjen apo jo të diplomave pas largimit (pezullimit ) të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga EQAR dhe si e tillë mendoj se ka përcjellë mesazh të qartë dhe kuptimplotë”, ka thënë Osdautaj.