24 Dhjetor, 2021 - 4:59 pm
Muzika, gjatë vitit që po lëmë pas, edhe pse në pandemi, ka luajtur një rol të madh në jetën e çdonjerit. U realizuan ngjarje muzikore, u vlerësuan këngëtarë, dhe u ndanë edhe çmime në ceremoni muzikore. Kur jemi te kjo, shumë këngë kanë kryesuar në top lista në vende të ndryshme. BBC bëri përzgjedhjen e dhjetë këngëve më të mira të vitit, për të cilat u bazua në listat e këngëve të publikuara nga revista muzikore me ndikim, faqe interneti, gazeta e transmetues rreth botës.
Sipas BBC-së, në pozitën e parë vjen Olivia Rodrigo me këngën “Good 4U”. Kjo këngë u lansua në maj të 2021-tës, ndërkaq është singli i tretë i Rodrigos nga albumi i saj “Sour m”.
Në pozitën e dytë u vlerësua kënga e Lil Nas X “Montero (Call Me By Your Name)”. Kjo këngë u debutua në krye të Billboard Hot 100, duke u bërë kështu hiti i dytë i Nas pas “Old Town Road”. Veç SHBA-ve, kjo këngë kryesoi toplistat edhe në disa vende të tjera të botës, si Kanada, Francë e Britani të Madhe.
Pozita e tretë vjen me këngën e Silk Sonic “Leave The Door Open”. Kënga dhe videoja e saj muzikore u nominuan për disa çmime, përfshirë këtu incizimin dhe këngën e vitit në ceremoninë e 64-të vjetore të ndarjes së Gremive.
BBC në pozitën e katërt për këngën më të mirë të vitit 2021 vlerësoi “All Too Well”, të Taylor Swift. Kjo këngë arriti sukses ndërkombëtar, duke kryesuar kështu në toplistat e disa vendeve. Ajo po ashtu theu rekordin botëror për këngën më të gjatë që ka kryesuar në Billboard Hot 100, për kohëzgjatje prej dhjetë minutash.
Kënga e Wizkid ft Tems “Essence”, u pozicionua në vendin e pestë. Kjo është kënga e parë nigeriane që u vlerësua në historinë e Billboard Hot 100 dhe në Billboard Global 200. Një remiks i saj u lansua në bashkëpunim me këngëtarin kanadez, Justin Bieber. Kjo këngë u nominua në kategorinë Best Global Music Performance në ceremoninë e 64-të të Grammy.
Kënga e gjashtë më e mirë për 2021-tën është “Bunny is a Rider”, e Caroline Polachek.
Në pozitën e shtatë u radhit kënga e Billie Eillish “Happier than ever”. Kjo këngë u debutua në krye të Billboard 200, dhe kryesoi edhe në 20 vende të ndryshme.
BBC në pozitën e tetë zgjodhi këngën “Drivers Liscence” të Olivia Rodrigo. Kjo këngë u pozicioua në vendin e parë të 25 toplistave në vende të ndryshme, e po ashtu ka kryesuar për disa javë në toplista në Australi, Kanada, Irlandë, Zelandë të Re dhe Britani të Madhe. Kënga Drivers Liscence në Spotify arriiti mbi një miliard transmetime.
Kënga Wet Leg e Chaise Longue u vlerësua në pozitën e nëntë. Kjo këngë u bë virale gjatë vitit që po lëmë pas.
Dhe e fundit, në pozitën e dhjetë vjen kënga Silk Chiffon, e Muna ft Phoebe Bridgers. Revista “Rolling Stone” këtë këngë e quajti të gjallë, me deklaratë të qartë për dashuri të çuditshme. / KultPlus.com