14 Dhjetor, 2024 - 1:29 pm
Këtë fundvit, Kori i Fëmijëve-Okarina do të shënojë 10-të vjetorin e themelimit përmes një Gala Koncerti me artistë të shquar, me të cilët përgjatë kësaj dekade pjesëtarët e korit kanë pasur rastin të ndajnë skenën bashkë, shkruan KultPlus.
Sipas një njoftimi për media, ky koncert do të jetë një festë e veçantë e “Korit Okarina” me këngëtarët Sinan Vllasaliu, Irma Libohova, Adelina Thaçi, Adelina Paloja, Arbër Salihu, Adea Pula, Andra Rexhepi, Elona Sadiku, festë kjo e cila kurorëzon një dekadë punë, përkushtim, këngë, magji dhe emocione të paharrueshme.
Kori “Okarina” përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” i ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur rrugëtimin e tyre në këto 10-të vite.
“Faleminderit nga zemra për besimin dhe përkrahjen tuaj ndër vite! Këtë 10-vjetor të jashtëzakonshëm do ta festojmë me një Gala Koncert me artistë të shquar me të cilët kemi patur rastin të ngjitemi në skenë, e që ky koncert do të mbetet gjatë në kujtimet tona.
Ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij momenti të veçantë të cilin po e presim me padurim!Mirësevini në festën tonë!”, thuhet në shkrimin e korit në facebook.
Ngjarja mbahet më 22 dhjetor, në ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”- Obiliq/ KultPlus.com