27 Qershor, 2020 - 11:18 am
Kompozitori i njohur shkodran lindi më 27 qershor të viti 1917 në një familje jo vendase por me prejardhje nga Gjakova.
Prenka ishte i biri i Kolë Jakovës, dhe një burim artistësh që në prejardhjen e tij, nga vendburimi.
Në tërësi Prenk Jakova është njohur si arsimtar, muzikant dhe kompozitor.
Në familjen e tij gjyshi i tij Deda ishte një adhurues i mad hi muzikës, ai i binte klarinetës në Kolegjin Saverian, dhe në të njëjtën mënyrë edhe i ati Kola ishte një ndër pjesëmarrësit dhe organizatorët në frontin e Luftës së Koplikut.
Për më tepër dhe dy vëllezërit e Prenkës, Deda dhe Çesku do të bëheshin fotograf dhe muzikant.
Prenk Jakova, i nisi hapat e tij në rrugën e arsimit pas shkollës fillore në liceun Illyricum në Shkodër.
Që në shkollë u bë anëtar i bandave muzikore të shkollës dhe madje nisi të aktronte në shoqëritë teatrore Bogdani dhe Vllaznia.
Jakova më pas kaloi si klarinetist i bandës së qytetit prej ku filloi dhe të shkruante motive muzikore që mbështeteshin në ato të këngëve popullore.
Në moshën 18-vjeçare Prenga u caktua drejtor artistik i bandës së shkollës, ku luanin asokohe të vegjlit Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni dhe kompozitorë të tjerë të ardhshëm shqiptarë.
Jakova nisi të kompozojë marshe dhe kantata. Më 2 janar 1936 u dërgua që të jepte mësim në Bërdicë, ku dha mësime muzike dhe për vete nxuri kitarrën. Përgjatë verës së 1939 bleu një fizarmonikë dhe mësoi t’i binte edhe asaj; vjeshtën e po atij viti u caktua që të jepte mësim në internatin e Oroshit, ku shkroi një pjesë muzikore për fizarmonikë të titulluar Malli dhe më pas Fyellin e bariut, shkruan Konica.al
Më 1940 Jakova u transferua në Shkodër, ku shkroi pjesë muzikore për fëmijë dhe operetën me dy hapje Kopshti i Xhuxhmaxhuxhëve.
Vitin shkollor 1941-42 Jakova u caktua që të jepte mësim në Katërkollë të krahinës së Krajës, sot në Mal të Zi.
Më vonë kompozitori Jakova u zhvendos në Romë ku edhe nisi mësimin për klarinetën.
Por fundi i vitit 1944 e gjeti Jakovën mësues po prapë në Shkodër, e më vonë u caktua përgjegjës në korin e Brigadës Sulmuesenë Shtëpinë e Rinisë.
Në atë periudhë Prenka u arrestua dhe u mbajt në hetuesi për shkak të vrasjes së vëllait të tij duke luftuar kundër partizanëve komunistë.
Me grupet e amatorëve, instrumentistëve, solistëve dhe korit që kishte në patronazh, Prenka dha shfaqe jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ulqin, Cetinjë e Titograd.
Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Opera e dytë e Prenk Jakovës, “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, u prit shumë mirë nga kolegët e dashamirësit e artit, që në shfaqjen e tij të parë në Tiranë, por kritika zyrtare mediokre me qëllime keqdashëse e tundoi mjaft i cili u detyrua të ripunojë disa pjesë.
Gjithsesi vepra “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” ishte shumë më solide se “Mrika” e cila vuante fatkeqësinë e subjektit dhe tematikës së artit skematik, ku duhet të frynte patjetër era revolucionare e kohës së absurditetit.
Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.
Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen shqiptare nacionaliste, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet. Për shkak të vëllait, i cili kërkohej, komunistët arrestojnë Prenk Jakovën dhe e mbajnë disa kohë burgjeve.
Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu, fati i të vëllait do të ishte tepër tragjik. Kapet nga komunistët dhe pushkatohet pa mëshirë.
Prenk Jakova ishte një artist i madh, që megjithë tragjedinë, dhe dhembjen që kishte, arriti të mbijetonte dhe të shkruante duke iu imponuar regjimit monist me forcën e gjenisë së tij.
Megjithë karrierën e tij të suksesshme artistike, për të cilën fitoi respekt e admirim nga artdashësit shkodranë, fundi i Prenkës do të ishte disi i ngjashëm me atë të vëllait të ekzekutuar, sepse duke mos e duruar dot mjedisin përreth tij, duke e parë vehten në një gjendje pesimizmi të pashpresë, ai zgjodhi rrugën e vetvrasjes, pikërisht në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër, pikërisht në atë institucion ku ai kishte punuar e shkruar një jetë të tërë.
Pas suksesit të madh që u arrit me vënien në skenë të operas së parë shqiptare “Mrika”, gjatë një vizite që bëri në qytetin e Shkodrës Enver Hoxha, u takua me Prenkën dhe i tha atij se i kishte premtuar për të bërë dhe një opera tjetër për Skënderbeun.
Një nga funksionarët e lartë të qytetit të Shkodrës, i cili ka qenë prezent në atë bisedë të Prenkës me Enver Hoxhën, dëshmon: Pas atyre fjalëve të Enver Hoxhës, Prenka iu përgjigj: “Po mor shoku Enver, por puna e operas nuk është si bukët që i fut kur të duash në furrë”.
Pas përgjigjes së Prenkës, Enver Hoxha filloi të qeshte dhe dha porosi që t’i plotësoheshin të gjitha kushtet Prenkës, me qëllim që ai të vinte në skenë operën “Skënderbeu”, kujton ish-funksionari i lartë lidhur me bisedën e Enver Hoxhës me Prenkë Jakovën.
Pas atij takimi, Prenka iu vu punës duke punuar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, për të realizuar atë që i kishte vënë si detyrë Enver Hoxha.
Ai e shkroi të gjithë muzikën e operas “Skënderbeu” dhe për disa muaj me radhë u muar vetëm me ndarjen e muzikës turke nga ajo arabe, gjë e cila deri në atë kohë konfondohej nga shumë kompozitorë. Kur e përfundoi muzikën e saj dhe e solli për miratim në Tiranë, Prenkës i nxorën shumë pengesa dhe ata që ishin ngarkuar për shikimin e saj, i kërkonin të shkurtonte disa pjesë që sipas tyre stononin.
Prenka refuzonte në mënyrë kategorike për ta bërë atë gjë dhe i vetmi që i doli në mbrojtje ishte Fadil Paçrami, i cili në atë kohë kishte dalë hapur kundër metodave të vjetra e konservatorizmit.
Ndonëse opera “Skënderbeu” u shfaq dhe pati sukses të madh, e Prenka pati përgëzime edhe nga Enver Hoxha, peripecitë për realizimin e saj lanë gjurmë të thella në gjendjen shpirtërore të Prenkës.
Veprimtaria muzikore që la Prenk Jakova është shumë e pasur e konsiston në dhjetëra vepra vokale, këngë korale të përpunuara, pjesë orkestrale e korale, pjesë për bandë, muzikë filmash e deri tek operetat e operat.
Nisur nga virtuoziteti i tij dhe veprat e larmishme muzikore, Prenk Jakova konsiderohet si një nga kolosët më të mëdhenj të muzikës shqiptare për të gjitha kohërat.
Teatri i Operas e Baletit e shpalli vitin e shkuar 2017-ën, si vitin e kompozitorit Prenk Jakova, pasi ky vit përkoi me 100-vjetorin e lindjes së Artistit të Popullit. /KultPlus.com