29 Nëntor, 2020 - 9:27 am
Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.
Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.
Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”
Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”
Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.
“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.
Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.
Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.
Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.
Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.
“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.
Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.
Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.
Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta, Prof. Spiro Shetuni, Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.
Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.
Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.
Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.
Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com