11 Korrik, 2021 - 2:15 pm
Me anë të një ceremonie solemne të organizuar në Kalanë e Lëkurësit, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta dekoroi grupet polifonike dhe këngëtarë të spikatur polifonikë të trevës së Sarandës me rastin e 15 vjetorit të përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit” nga UNESCO-ja.
Kreu i shtetit i akordoi titullin “Naim Frashëri” Ansamblit “Zëri i Bilbilit”, me motivacionin: ‘’Për kontributin e spikatur dhe të pandërprerë në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike, si një vlerë e vyer shpirtërore e trashëgimisë kulturore, për pjesëmarrjen e suksesshme në aktivitete kulturore dhe festivale folklorike brenda vendit dhe jashtë vendit, si mbështetës aktiv i turizmit kulturor dhe si përçues tek brezat e rinj i vlerave kulturore të këngës polifonike dhe valles tradicionale”.
Me titullin “Mjeshtër i Madh” u çmua këngëtari dhe rapsodi i këngës polifonike, Xheladin Beqiri, me motivacionin: “Për kontributin e vyer disavjeçar në ruajtjen, pasurimin dhe transmetimin ndër breza të këngës polifonike. Këngëtar dhe interpretues virtuoz, rapsod dhe njohës i mirë i këngës polifonike. Pjesëmarrës i suksesshëm dhe laurës i shumë festivaleve folklorike kombëtare në Gjirokastër”; si dhe zonja Katerina Kule “Me vlerësime si një nga këngëtaret e shquara të këngës polifonike. Me talentin, zërin e rrallë dhe dashurinë për këngën e popullit të saj ka luajtur një rol të madh në ruajtjen e traditës dhe kultivimit të mëtejshëm të folklorit dhe në veçanti polifonisë së jugut të vendit”.
Presidenti Meta vlerësoi me titullin “Naim Frashëri” marrësin e shquar marrës polifonik, Petrit Metushi, me motivacionin: “Si një nga këngëtarët e shquar të këngës polifonike, i dalluar për talentin dhe interpretimin e spikatur në rolin e marrësit, si dhe për rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”; si dhe intepretuesin e spikatur Kiço Kapetani (pas vdekjes): “Në vlerësim të kontributit të spikatur në interpretimin dhe lartësimin e këngës polifonike. I dalluar në rolin e marrësit për talentin dhe interpretimin e shquar, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës polifonike sarandjote”.
Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, kreu i shtetit dekoroi Sinan Ahmetin, me motivacionin: “Me mirënjohje artistit të shquar të kulturës popullore dhe folklorit me kontribut të spikatur në mbartjen, pasurimin dhe transmetimin e këngës polifonike ndër breza. Si pjesëmarrës, drejtues dhe organizues me nivel të lartë artistik i shumë veprimtarive folklorike, në dobi të ruajtjes së traditës të polifonisë dhe nxitjes së turizmit kulturor”.
Në përshëndetjen drejtuar artistëve, këngëtarëve, rapsodëve, muzikologëve dhe studiuesve të polifonisë, si dhe familjarëve, presidenti Meta u shpreh i lumtur për të nderuar historinë e lavdishme të luftërave për liri, si dhe për të vlerësuar disa prej korifenjve sarandjotë të këngës sonë polifonike.
“E meritojnë korifenjtë e polifonisë këtë vlerësim dhe kënaqësi për gjithçka, që ata kanë bërë për Atdheun, për të forcuar shpirtin kulturor të kombit, identitetin tonë si dhe për të lartësuar deri në UNESCO polifoninë shqiptare!”, tha Meta. / atsh / KultPlus.com