19 Tetor, 2020 - 11:25 pm
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 19 tetor 2004 humbi jetën, bashkë me nënën dhe vajzën 7-vjeçare, një nga zërat më premtues të muzikës së lehtë shqiptare, këngëtarja Anita Bitri.
Prej 8 vitesh Anita Bitri ishte vendosur në SHBA së bashku me familjen e saj. Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë i vazhdueshëm. Ajo ka qënë gjithmonë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar.
Anita ishte jo vetëm një artiste e talentuar, por gjithashtu edhe një aktiviste në komunitetin shqiptar, me pjesmarrje në koncertet e bamirësisë dhe aktivitete të ndryshme të Diasporës për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë. Në këtë kontekst është për t’u theksuar koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë.
Ajo ishte njëkohësisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”. Anita e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin e mrekullueshëm ja dedikoi tërësisht çështjes shqiptare.
Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 Janar 1968 në një familje intelektuale. Ajo nisi të këndonte kur ishte në kopësht, fare e vogël, por ra në sy për zërin dhe pamjen e saj engjëllore.
Nga mosha 8 deri në moshën 14 vjeç, Anita ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivaleve të Pionerëve të rrethit të Vlorës
Prezantimi i Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi, kur mësuesit e saj vunë re se ajo kishte një zë të jashtëzakonshëm.
Kënga e parë e Anitës në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito, mos u gabo” të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i Anitës nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu ishte i pari që do të besonte tek ajo dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në Dashuri”, “Abrakadabra” etj.
Në këto vite triumfi Anita pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas ajo korr një sukses të jashtëzakonshëm në shkallë kombëtare me koncertet e saj recitale të titulluara “Anita”.
Këto recilate bën që Anita të fitonte një popullaritet të jashtëzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 mbërrin në “tokën e premtuar” ku dhe do të ndërronte jetë më 19 tetor 2004.