25 Tetor, 2022 - 8:00 pm
25 tetori ka hyrë në kalendarin botëror si Dita Botërore e Operës. Kjo ditë është përzgjedhur në nder të Zhorzh Bize dhe Johan Shtraus, të cilët lindën më 25 tetor dhe janë nga më të famshmit kompozitorë për opera e opereta. Dita Botërore e Operës kremtohet prej 4 vjetësh.
Motoja e këtij viti është “Unboxing Opera”, një tentativë për t’i afruar më shumë njerëzit ndaj këtij zhanri muzikor, duke përjetuar e ndarë, të njëjtin entuziazëm që haset në miliona videot e ngarkuara në internet, kur njerëzit bëjnë “unboxing”. Ky term tashmë ka marrë kuptimin e njohjes dhe hapjes ndaj diçkaje të re.
Me këtë rast, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit e Ansamblit Popullor, ka kujtuar operën e parë shqiptare, me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Opera e parë shqiptare njihet opera “Mrika”, me muzikë të Prenkë Jakovës e libret të Llazar Siliqit. Premierën e saj e pati në 1 dhjetor të 1958-ës, në teatrin “Migjeni”, në Shkodër. Opera kishte 4 akte dhe u vu në skenë nga regjisori Andrea Skanjeti, i ndihmuar nga Kristaq Antoniu. Premiera në Teatrin e Operas dhe Baletit erdhi në 1959-ën, me regjinë e Pandi Stillut e dirigjimin e Mustafa Krantjes.
Në rolet kryesore interpretonin: Marie Kraja si Mrika, Jorgjia Velo si Mara, Avni Mula si Gjeta, Ibrahim Tukici si Doda, Luke Kacaj si Gjini, Rozmari Jorganxhi si Mira, etj. / KultPlus.com