25 Shtator, 2024 - 4:25 pm
Kanë kaluar 33 vite nga dita që doli albumi “Nevermind” që do të shënonte ndryshim jo vetëm në zhanrin e rokut por edhe në historinë e përgjithshme të muzikës.
Albumi “Nevermind” u ngjit në nr.1 në SHBA, në 1 nëntor. Ashtu si çdo gjë tjetër në historinë e rock-ut alternativ dhe grunge, “Nevermind” nuk ishte një sukses i papritur. Ishte forca e jashtëzakonshme e këngës “Smells like teen spirit” që projektoi Nirvana-t – dhe të gjithë lëvizjen grunge – në vëmendjen e njerëzve. Një përzierje transmetimesh në radio dhe prania e madhe e videos tashmë klasike në të gjithëpushtetshmen MTV, nxiti një furi të tillë për Nirvana-t, sa që disqet e tyre shiteshin më shpejt nga sa mund të prodhonte etiketat reparti përkatës i marketingut.
“Nevermind” rezultoi të jetë një prej albumeve jo vetëm më të shitura por edhe më me ndikim të publikuar ndonjëherë.
Brenda një viti, pjesa më e madhe e albumeve që dolën mes gushtit dhe shtatorit 1991 (“Blood sugar sex magic”, “Ten”, “Nevermind”) kishin arritur shitje stratosferike. Edhe më e rëndësishme, ishte se suksesi i këtyre albumeve dekretoi fundin e rock-ut të viteve tetëdhjetë.
Janet Billig Rich, që kish punuar si menaxhere mes të tjerëve për grupe si Nirvana, Smashing Pumpkins dhe Hole, pa me sytë e vet drejtuesit e kompanive të mëdha producente që të garonin për grupet e Seattle. “Mund të krijoje një grup dhe më pas të shkëpusje një frazë mbi ta, ndoshta duke ia atribuar atë Kurt Cobain-it. Melvins janë një shembull i përsosur. Kurtit i pëlqenin Melvins, kështu që të gjithë donin të firmosnin një kontratë me ta. Ishin të gjithë në gjendje shock-u. Në të vërtetë gjithçka ishte bërë shumë e lehtë. Ishte ekonomi e pastër. Nirvana-t ishin bërë një sistem ekonomik”. / KultPlus.com