25 Prill, 2018 - 4:00 pm
Shumëkush prej nesh është rritur me këngën e Rexhës dhe sa herë e ka dëgjuar këtë ka ndier edhe dhembje për atë ngjarje që besohet se ka ndodhur para 140 vitesh, kur djali jetim, natën e dhëndërisë, gjendet i vdekur në grazhd të kalit.
Gjithmonë është menduar se Rexhën e kishte mbytur kali. Por, duket se e vërteta është ndryshe dhe jo ajo që e kanë besuar të gjithë. Por rapsodi Demir Krasniqi pretendon se e di versionin origjinal të këngës së njohur të Rexhës, ku sqarohet gjithë ngjarja, që, sipas tij, ka ndodhur në fshatin Stubëll, afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës.
Rexhës i kishte vdekur babai kur ai ishte dyvjeçar. Nëna e tij, sipas traditave dhe zakoneve të vjetra, me qëllim që të mos lërë djalin jetim, kishte pranuar të martohej për kunatin, i cili u kujdes për ta rritur Rexhën. Pastaj e fejoi dhe vendosi që ta martojë me dasmë dhe krushqi, sipas zakoneve dhe traditave shqiptare të rrethit. Ditën e dasmës së Rexhës, xhaxhait të tij, emri i të cilit nuk përmendet në këngë, i kishte hipur në kokë një mërzi e madhe, ngase e dinte se Rexha, pasi të martohej do të ndahej prej tij dhe do t’ia merrte gjysmën e pasurisë, që do t`i takonte si trashëgimi nga babai. Kjo frikë e shtyu atë që ta vrasë Rexhën në ditën e dasmës së tij. Ai e mashtron Rexhën dhe e çon tek stalla e kuajve të dasmorëve, gjoja për t’i ushqyer ata dhe atje e vret tinëzisht, duke e lënë të vdekur në grazhd të kalit. Dasmorëve ua dha haberin duke u thënë se njëri prej kuajve e kishte qëlluar Rexhën me shqelm dhe e kishte lënë të vdekur në vend. Të vërtetën e vdekjes së Rexhës e kishte treguar vetë nëna e tij, disa vite më vonë, pasi asaj i kishte vdekur burri i dytë, që ishte xhaxhai i Rexhës. Pra, vrasësi i vërtetë i Rexhës ishte xhaxhai i tij e jo kali, siç është kënduar kënga plot një shekull e disa dekada./ KultPlus.com