26 Tetor, 2020 - 7:20 pm
Bernie Taupin shkroi tekstin dhe në më pak se njëzet minuta, Elton John kompozoi muzikën. Kështu lindi “Your Song”, hiti i parë i këngëtarit dhe muzikantit anglez.
Një moment historik në historinë e muzikës bashkëkohore dhe që sot mbushi 50 vjet.
Kënga u publikua, më 26 tetor 1970, në Shtetet e Bashkuara. Ishte, menjëherë, një sukses i madh, fillimisht në radio dhe më pas në të gjitha klasifikimet, gjë që bëri që John Lennon të thoshte: “Është gjëja e parë e bukur që doli pas Beatles”. Që atëherë, Elton e ka kënduar në fund të çdo koncerti të tij dhe në imagjinatën kolektive mbetet një nga deklaratat më të bukura të dashurisë në fjalë dhe muzikë.
Kur ai filloi bashkëpunimin e tij me autorin Bernie Taupin, në qershor 1967, Elton John nuk e dinte se ky do të ishte partneriteti më i rëndësishëm njerëzor dhe profesional i karrierës së tij. Ai e zbuloi atë disa vjet më vonë, kur, pas një periudhe reagimesh të dobëta komerciale dhe një albumi debutues, “Empty Sky”, i cili nuk ishte shumë i suksesshëm, u lëshua albumi i tyre i dytë “Elton John”, kënga e parë e të cilit ishte vetëm “Your Song “. Taupin ia kishte dërguar fjalët Eltonit, të shkruara një mëngjes, dhe i ulur në pianon e shtëpisë së nënës së tij në më pak se gjysmë ore këngëtari kishte kompozuar muzikën, nën sytë e shokut të tij të mahnitur.
Por suksesi i këngës, nuk erdhi nga albumi, i cili gjithashtu filloi të vendosej në krye të klasifikimeve, por nga single që u lansua shtatë muaj më vonë në Los Angeles.
Një strukturë e thjeshtë muzikore, një baladë klasike simfonike, “Your Song”, e luajtur në pianon e Eltonit, i detyrohet suksesit të saj edhe orkestrimit mbresëlënës, të Paul Buckmaster.
Historia e treguar flet për ndjenjat e një djali ndaj një vajze, një histori dashurie me pak fjalë, si shumë të tjera, por që ka mundur të pushtojë breza të tërë.
“Sekreti i Bernie është të qenit një tip shumë sentimental dhe të shkruash shumë rrallë. Tekstet e tij janë të gjitha personale dhe unë mund ta kuptoj sepse e njoh atë brenda dhe jashtë. Për shembull, kur ai u paraqit me tekstin e këngës ‘Your Song’ tha: ‘Unë e njihja vajzën dhe meqë ata dukeshin të dashuruar unë u kujdesa për muzikën në një mënyrë të veçantë, dhe të ëmbël për të mos i zgjuar nga apatia dashurore në të cilin ishin zhytur’”, kishte thënë John për tekstin e këngës.
Ylli i rock-ut, gjithashtu, ka pranuar se e pëlqen dhe e konsideron si këngën e tij më të mirë të dashurisë. “Your Song” mbetet ndoshta kënga më e famshme për Elton Johnin, një markë e tij, e interpretuar në çdo koncert live. / KultPlus.com