23 Shtator, 2018 - 12:00 pm
Gratë shqiptare po njihen gjithnjë e më shumë në botë për talentin e tyre ndërsa pianistja e famshme në Itali, Laura Sopoqoti jep mësim në një nga shkollat shtetërore më prestigjioze të muzikës.
Në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Laura ka rrëfyer jetën artistike në Itali, ndërsa ka shpjeguar raportin e ngushtë që mban ende me vendin e saj, edhe pse prej shumë vitesh jeton në shtetin italian.
“Unë ndihem shumë mirë në Itali por nuk e harroj asnjëherë që jam shqiptare. Por, kur je në një shtet të huaj, duhet të kuptojmë që nuk jemi në vendin tonë”.
E ardhur nga një familje muzikantësh nga Fieri, Sopiqoti ka pasur fatin që e ka filluar pianon që në moshën 5 vjeçare me një mësuese hungareze. Ajo ka qenë nxënësja e Maria Rafaelit, së cilës i dedikon edhe arritjet e saj. Pas shumë vitesh me jetë të pasur artistike në Fier si soliste me Orkestrën Simfonike, në 1994 falë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe bashkëshortes së ambasadorit ju dha mundësia për të studiuar në Brindisi. Kjo përkonte edhe me bursën e studimit që ajo kishte fituar në Ohaio në SHBA, me një kasetë të thjeshtë që mësuesja e saj dhe babai kishin regjistruar dhe dërguar në Ohaio. Laura preferoi të studionte në Itali, për shkak edhe të afërsisë dhe dashamirësisë ndaj popullit italian.
Në vitet e para, sipas Laurës, Italianëve u bënte përshtypje fakti se ajo kishte diplomë me të gjitha 10 dhe kjo dukej gati-gati e pavërtetë për ta.
Talenti i saj dhe pasioni për muzikën dhe pianon është trashëguar edhe tek vajza e saj, sot 17 vjeç.
“Nuk kam dashur me patjetër që ajo të bëhet muzikante por ajo vetë ka pasur dëshirë të madhe. Kujtoj që kur unë bëja mësim shihja tek ajo dëshirë të madhe për pianon dhe kur i lija detyra të vogla ajo edhe pse shumë e vogël i përsëriste 10 herë dhe duhet t’ia kujtoje të largohej nga piano për të bërë gjëra të tjera”.
“Në Itali, ishin vitet e vështirë ku shqiptarët iknim me tragete. Në qytetin ku jetoj nuk kishte shumë shqiptarë dhe për ata vetë fakti që unë kisha një diplomë të konservatorit me shumë 10, i dukej sikur ishin të pavërteta. Nuk e dinin dhe nuk e kuptonin që në kohën e komunizmit në në Shqipëri nuk bënim 10 punë keq , por bënim vetëm 1 shumë mirë”.
Prej shumë vitesh Laura jep mësim në shkollën 8-vjeçare shtetërore “Montesori Mascagni”, në Katania dhe bashkëshorti i saj është Italian. Për vendin e saj, Shqipërinë, pianistja e famshme në Itali ka thënë se nëse do të duhet kontributi i saj, ajo është e gatshme ta japë.
Intervista e plotë:
Si nisi rrugëtimi juaj znj. Sopiqoti?
Unë vij nga një familje muzikantesh. Kam pasur fatin e madh që e kam filluar pianon që në moshën 5 vjeçare me një mësuese hungareze. Kam qenë nxënësja e Maria Rafaelit që në moshë të vogël dhe arritjet e mia ja dedikoj edhe mësueses sime të nderuar. Kam studiuar për 12 vjet në shkollën artistike “Jakov Xoxa” ne Fier. Më pas kam konkurruar në Akademinë e Lartë të Arteve në Tiranë ku kam vazhduar studimet me profesorin e nderuar Robert Radoja që ka vazhduar punën e mësueses sime . Kam qenë me shumë fat që kam studiuar me këta dy pianist. Pas mbarimit të studimeve jam kthyer për të punuar në Liceun Artistik “Jakov Xoxa” ne Fier. Kam punuar për 5 vite në klasën e me nxënësit e mësueses sime. Kjo për mua ka qenë nder. Në 1994 falë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe bashkëshortes së ambasadorit që ishte artdashëse shumë e madhe, pas disa koncerteve mu dha mundësia të shkoja në Brindisi për të shkëmbyer eksperience. Më pas jam njohur me bashkëshortin Italian dhe jam transferuar Katania. Në Brindisi kam kaluar dy vite dhe ky qytet i vogël ka njerëz me zemër të madhe. Gjithmonë i ka mirëpritur Shqiptarët dhe atje kam realizuar shumë koncerte .
Ju keni një vajzë të rritur që ka ndjekur edhe ajo gjurmët tuaja artistike. Sa keni ndikuar në zgjedhjen e saj për artin?
Vajza jonë ka filluar pianon që ne moshën 4-vjeçare dhe sapo ka mbushur 17 vjeç. Është diplomuar për piano me vlerësimet shkëlqyeshëm ne Konservatorin Vincenzo Bellini në Palermo. Nuk kam dashur me patjetër që ajo të bëhet muzikante por ajo vetë ka pasur dëshirë të madhe. Kujtoj që kur unë bëja mësim shihja tek ajo dëshirë të madhe për pianon dhe kur i lija detyra të vogla ajo edhe pse shumë e vogël i përsëriste 10 herë dhe duhet t’ia kujtoje të largohej nga piano për të bërë gjëra të tjera. Vajza ka studiuar me mua që në moshën 4 vjeçare deri kur u bë 7 vjeç . Është diplomuar me profesoreshën Donatella Solima që vjen nga një familje e madhe muzikantesh. Ka studiuar edhe me Epifanio Comis dhe me pianisten ruse Violetta Egorova. Vazhdon te perfeksionohet me pianisten argentina Nora Doallo në Zvicër.
Sa e rëndësishme është të japësh kontributin tuaj si Shqiptare në Itali dhe si e ndjeni veten atje?
Unë ndihem shumë mirë në Itali por nuk e harroj asnjëherë që jam shqiptare. Por, kur je në një shtet të huaj, duhet të kuptojmë që nuk jemi në vendin tonë. Kam 24 vite që jam në Itali por akoma nuk e kam kaluar fazën që të them “ jam e huaj “.
Cili ka qenë momenti kur ke kuptuar që jeta jote artistike ka mbërritur në një pikë të rëndësishme, nëse mund të themi si “piku” i karrierës tënde?
Unë jam ndjerë shumë rëndësishme edhe në vendin tim. Por, mund të them është fakti që punoj si mësuese pianiste në shkollë shtetërore. Këtu në Itali është shumë e vështirë që të punësohesh në shkollë shtetërore. Në Itali është shumë e vështirë të hysh në një shkollë shtetërore. Është një hap i rëndësishëm. Sa i përket jetës artistike, në fakt mua nuk më mungonte asgjë në Shqipëri. Unë kam ikur në periudhën e vështirë në 1994 por nuk më kanë munguar dhe kujtoj gjithmonë koncertet në Fier si soliste me Orkestrën Simfonike. Nuk kam ikur në Itali për të gjetur një jetë më të mirë, por ishte periudhë e tillë. Faleminderit edhe ambasadës Italiane që më ofroi asokohe, këtë mundësi. Në të njëjtën kohë, unë kisha fituar një bursë studimi në Ohaio në SHBA, me një kasetë të thjeshtë që mësuesja ime dhe babai kishin regjistruar dhe dërguar në Ohaio, kështu edhe fitova të drejtën e studimit atje. Ka qenë në të njëjtën kohë me Italinë. Unë preferova Italinë pasi ishte shumë afër familjes time, gjuhën e kishim mësuar, me popullin Italian ishim shumë afër. E kujtoj gjithmonë edhe pas 2 viteve që unë isha martuar në Itali, Konservatori në Ohaio me dërgonte kërkesën që të shkoja për të studiuar atje. Në Itali, ishin vitet e vështirë ku shqiptarët iknim me tragete. Në qytetin ku jetoj nuk kishte shumë shqiptarë dhe për ata vetë fakti që unë kisha një diplomë të konservatorit me shumë 10, i dukej sikur ishin të pavërteta. Nuk e dinin dhe nuk e kuptonin që në kohën e komunizmit në në Shqipëri nuk bënim 10 punë keq, por bënim vetëm 1 shumë mirë. Fillimi ishte i vështirë. Gjërat kanë ndryshuar, unë arrita të jap piano në shkollën Shtetërore Italiane. Kjo për mua është një arritje e madhe .
Keni menduar të përfshiheni në strukturat e veçanta që po krijohen në diasporë, falë ministrisë së Diasporës së krijuar, si një zë i veçantë i sukseseve dhe arritjeve te emigranteve shqiptar ne bote?
Jo, nuk kam menduar. Unë jam shumë e thjeshtë dhe nuk e kam menduar. Por, po të duhet mund te jap kontributin tim. Unë jam shumë e kënaqur kur nxënësit e prindërit në fund të vitit shkollorë më thonë: nuk është e rëndësishme të jesh mësuese por ti transmetosh më së miri dijet. Kjo është kënaqësi për mua. Të jesh mësuese duhet të bësh me pasion punën, përndryshe nuk e bën dot. Nxënësit më shkruajtën në fund të vitit shkollorë: “ Nuk ka fjalë për të treguar mirënjohjen ndaj teje për gjithçka që ti bën nëpërmjet mësimdhënies. Te jesh mësuese do të thotë të jesh një shembull dhe ju për ne keni qenë plotësisht “.
Sa të tërhequr dhe sa dëshirë kanë nxënësit Italianë ndaj artit ?
Në Itali nxënësit studiojnë edhe artin por jo të gjithë në Itali bëhen pianistë . Por , muzika është një pjesë e jetës së tyre . Pasi përfundova edhe masterin për Muzikoterapi në Itali , kuptova sa rëndësi ka studimi i muzikës për formimin e fëmijëve edhe përpara se të lindin. Pra ,që kur nenat janë shtatzëna. Kam mbrojtur tezen e masterit me notën 10 jo vetëm për vete por edhe për të treguar qe 10 nuk merret vetëm në konservatorin e Tiranës por edhe në Universitetet e Italisë . Dëshiroja të merrja 10 në tezën e rëndësishme “Musikoterapia dhe Autizmi”.
Masterin e kam përfunduar në Universitetin “ Ca Foscari në Venecia. Zgjodha një tezë të vështirë pasi kjo bën pjesë në karakterin tonë si Shqiptare, që të punojmë në atë që është më e vështirë . E përshkruaj si një eksperiencë shumë të bukur.
Cili është mesazhi që do u jepje të rinjve dhe çfarë do u sugjeroje shkollave shqiptare që merren me artin por jo vetëm?
Ajo që dua të them si fillim është se në Shqipëri kemi shkolla shumë të mira dhe nuk na mungon asgjë. Kemi mësues të përgatitur. Dëgjoj pianistë shumë të mirë shqiptarë që studiojnë dhe fitojnë konkurse. Mesazhi që doja të ndaja me të rinjtë është: Vazhdoni rrugën e artit , punoni me këmbëngulje sepse asgjë nuk është e thjeshtë. /ata