15 Maj, 2022 - 11:45 am
Pavlina Nikaj ishte një këngëtare shqiptare. Së bashku me Anita Take dhe Pjetër Gjergji, ajo konsiderohet pionierja e interpretimit të muzikës së lehtë në Shqipëri.
Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës, më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça.
Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku këndoi afro 20 vjet.
Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj.
Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj.
Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut.
Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.
Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin. Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës. /KultPlus.com