28 Shkurt, 2019 - 9:40 pm
Për gjashtë vite me radhë e punësuar me honorarë, Sihana Jakupi ishte kornistja e katërt në orkestrën e Opera dhe Balet. Në dhjetor të vitit 2018 u shpall konkurs ku gjithsej konkurruan katër persona, përfshirë këtu edhe Sihanën.
Komisioni i Opera dhe Balet vendosi që në karrigen e Sihanës ta ulë Millovan Stamenkovskin. Sihana duke druajtur se i është bërë padrejtësi, akuzon komisionin dhe drejtorin e Operës se është ndikuar politikisht.
“Në fund, pas audicionit pranohet dikush që asnjë ditë nuk e kemi parë në atë orkestër. Është padrejtësi e madhe për dikë i cili ka kontribuar 6 vite aty me honorare pa pagesë dhe në fund të pranohet dikush i panjohur. Unë kam dërguar ankesë deri tek Opera dhe Baleti, para dy javëve dhe ende nuk kam përgjigje se përse unë nuk u pranova. Kjo duhet të jetë diçka shumë partiake, sipas informatave drejtori ka thënë që konkursi është mbyllur dhe se është vendosur nga lart “– tha Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.
Televizioni Alsat tentoi të vë kontakt me drejtorin e Operës dhe Baletit, Vaso Ristov por i njëjti nuk gjeti kohë që të përgjigjet për rastin e Sihanës. Kjo e fundit ka kërkuar edhe shpjegim për punësimin parashutist të Stamenkovskit në vend të saj, ndërsa nga drejtoria e Operës i është thënë se është vepruar në bazë të ligjit. Megjithatë, Sihana insiston se është bërë padrejtësi në zgjedhjen e punëtorit e jo në procedurë dhe për këtë gjë kërkon përgjegjësi.
Është çudi që ky vend u mbajt i mbyllur prej vitit 2012 kur është dashur vendi të hapet, deri në këtë kohë është çudi e madhe unë nuk mund ta pranoj atë fakt – u shpreh Sihana Jakupi, korniste e diplomuar.
Sihana ka kërkuar sqarim edhe nga Ministra e Kulturës por as nga atje nuk ka marr përgjigje. Përgjigje nga Ministria e Kulturës për këtë punësim nuk mori as Televizioni Alsat. Opera dhe Baleti numëron 213 persona të punësuar në orkestër, kor, solo dhe drejtori por në këtë listë figuron vetëm një emër shqiptarë, i cili luan në violinë.B