8 Korrik, 2019 - 4:58 pm
Kur dhuna u përhap në krejt rrugët e Baltimores në vitin 2015 pas vdekjes së Freddie Grayt, një afro-amerikan që pësoi lëndime në boshtin kurrizor derisa po mbahej në arrest policor, muzikantët e Baltimores bën një veprim të jashtëzakonshëm duke mbajtur koncert në një stadium të boshatisur, për shkak se adhuruesve u ishte ndaluar hyrja sherri i shqetësimeve për sigurinë e tyre.
Orkestra Simfonike e Baltimores përçoi një mesazh ndryshe: Muzikantët u mblodhën në trotuar para sallës së koncerteve për të performuar vepra të Handelt, Bachut dhe Beethovenit para një audience prej qindra personash, që dëshironin një moment paqeje në kohën kur qyteti ishte mbërthyer e kurthuar nga frika e dhunës, shkruan “The New York Times”.
Muzikantët janë kthyer përsëri në të njëjtin trotuar. Më 17 qershor, menaxhmenti i orkestrës, duke cituar presionin e madh financiar, u shtrënguan t’i linin muzikantët pa paga. Ata madje i nxorën jashtë me qëllim që t’u bënin presion që të pajtoheshin me një kontratë që u garantonte më pak javë pune.
Dhe javën e kaluar pati tinguj daullesh, britma qytetarësh dhe sirena makinash që po shprehnin para sallës së koncerteve përkrahje për muzikantët që bashkuan qytetin në kohën më të vështirë të dekadave të fundit.
Dhe krejt këto veprime duken të njohura, por njëherësh ngrenë shumë dilema nëse do të mundë të mbijetojë kështu orkestra, pavarësisht se anëtarët e saj digjen që të shpëtojë institucioni i tyre. Orkestra simfonike e qytetit është parë gjithnjë si emblemë dhe shpresë që mishëron frymën kolektive dhe davarit të gjitha dallimet e mundshme të jetës së qytetit, madje i bashkon njerëzit edhe në kohë zie.
Themeluar më 1916 prej vetë qytetit, si degë e qeverisjes komunale, orkestra më vonë u organizua në linjë më tradicionale të institucioneve muzikore. Prej vitit 1982 luajti në sallën e simfonisë “Joseph Meyerhoff”, një ndërtesë në formë cilindrike me tulla jo fort larg Stacionit të Pennsylvanias, që ishte ndërtuar gjatë kohës ambicioze të zgjerimit të qytetit./Koha.net