4 Prill, 2019 - 11:30 pm
Bjorn Ulvaeus nga ABBA thotë se adhuruesit mund ta presin një këngë të re “në shtator ose në tetor” nga pop bendi katëranëtarësh suedez, të cilët u ndanë 37 vjet më parë.
Ulvaeus i tha tabloidit “Ekstra Bladet” të Danimarkës të mërkurën se “duhet një kohë jashtëzakonisht e gjatë” për ta bërë videon me avatarët e anëtarëve të bendit, duke shtuar se “videoja është vonuar shumë gjatë”.
Bendi më herët tha se Ulvaeus, Benny Andersson, Anni-Frid Lyngstad dhe Agnetha Faltskog u ribashkuan për ta planifikuar një turne virtuale me avatarët digjitalë dhe se një nga dy këngët e reja është titulluar “I Still Have Faith in You”, shkruan KOHA Ditore.
ABBA fitoi famë duke e fituar garën e këngës “Eurovision” në vitin 1974 me këngën “Waterloo”, ndërsa kishin hite të mëdha në vitet 1970, përfshirë “Dancing Queen” para se të ndahej në 1982.