AC/DC së shpejti me album të ri dhe turne muzikor

20 Janar, 2020 - 11:42 pm

Grupi “AC/DC” pritet ta shënojë rikthimin e tyre me koncerte live kah fundi i këtij viti, me Brian Johnsonin në rolin e vokalistit të rok bendit legjendar.

Sipas prezantuesit australian të radios, Eddie McGuire, Johnson do t’i ribashkohet grupit pasi humbja e dëgjimit në vesh, e kishte detyruar të largohet nga bendi në vitin 2016.

McGuire, po ashtu deklaroi se albumi i shumëpritur në bashkëpunim me Brian Johnsonin, do të publikohet pas disa muajve.

Duke folur për emisionin “Triple M Melbourne”, McGuire tha: “Unë besoj që do të ketë album të ri nga “AC/DC”, i cili pritet të publikohet gjatë muajit shkurt ose mars të këtij viti, por gjithashtu mendoj që bendi legjendarë do të mbajë turne nëpër Australi, kah fundi i vitit. Pas një pune të madhe dhe hulumtimeve të shumta teknike, ata kanë arritur ta sigurojnë një aparat dëgjimi për vokalistin, Brian Johnson, i cili edhe këtë herë do të performojë me bendin”.

Përveç rikthimit të Johnsonit, bendi besohet se do të ribashkohet edhe me bateristin, Phil Rudd, i cili u largua nga grupi në vitin 2015, pasi ishte dënuar për posedim të drogës dhe kërcënimin me vrasje të një ish-punëtori.

Ribashkimi i plotë i bendit legjendar “AC/DC”, për herë të parë ishte paralajmëruar në vitin 2018. Ndësa, vitin e kaluar, Rudd dhe Johnson, ishin parë së bashku në Vancouver, ku bendi “AC/DC” i ka incizuar të gjitha albumet e tyre muzikore, përgjatë dy dekadave të fundit./koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme