Adea Badivuku po sjell edicionin e dytë të festivalit “Shadows” në ShBA

8 Janar, 2024 - 1:56 pm

Edicioni i dytë i “Shadows” – Festivalit të Artit Bashkëkohorë drejtuar nga Adea Badivuku do të mbahet më datat 22-26 Janar, 2024 në Reno, Nevada, USA, shkruan KultPlus.

Artistë/muzikantë të shquar dhe të njohur ndërkombëtarisht nga Amerika do jenë pjesë e këtij edicioni.

Hapja e festivalit do të bëhet me një recital pianistik nga Adea Badivuku dhe prezantimin e Instalacionit audio-vizual nga Deniz Çaglarcan dhe Günes Çaglarcan.

Në serinë e koncerteve gjatë kësaj jave do të performojnë gjithashtu Katherine Parker, Bryan Chuan, Eric Fassbender, Josh D. Reed, Keidi Sada, Aren Long, Alyssa Jacobucci dhe Dennis Dairon.

“Jam shumë e lumtur dhe e entuziazmuar për këtë projekt. Është nder i madh të organizoj dhe drejtoj një Festival artistik të këtij niveli për herë të parë në SHBA. Sikurse edhe në edicionin e parë festivali është projekt multidiciplinar me koncept bashkëkohorë dhe gjithëpërfshirës. Tre pikturat me vaj/akrilik, muzika vizuale, e përbërë nga tre projektorë dhe konfigurimi i altoparlantëve kuadrafonik, dhe seria e koncerteve rrëfejnë strukturën formale të instalimit, janë të gjitha të lidhura me njëra-tjetrën dhe krijojnë përvojën e Shadows”, ka thënë Badivuku për KultPlus e cila tutje ka shpalosur edhe detaje nga raportuari i këtij edicioni.

“Raportuari i cili do të interpretohet në koncertet gjatë kësaj jave është kontemporan me vepra të kompozitorëve të shquar si John Cage, Karlheinz Stockhausen, Alexina Louie, Deniz Caglarcan, Jean Paul Perrotte, Max Deger etj”, thotë Badivuku. / KultPlus.com

Të ngjajshme