Adelina Paloja dhe Alba Muçolli me koncert recital në teatrin ‘Seminar’ të Horës së Arbëreshëve

18 Mars, 2025 - 10:13 pm

Sopranoja e njohur, Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli Dehiri do të interpretojnë një koncert recital klasik në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert, dedikuar komunitetit Arbëresh, të cilët mbi 5 shekuj kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar, do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo, nga kompozitorët më të shquar shqiptarë: Rafet Rudi – “Arbëresh Song” dhe “Këmbanat Arbëreshe”, Rauf Dhomi – Aria e Marlulës” nga opera “Dasma Arbëreshe”, Gjon Gjevelekaj, Avni Mula, Prenk Jakova dhe vepra të tjera me motive arbëreshe e kombëtare.

“Me një emocion të papërshkrueshëm, sjellim një histori “Divine Cadenze” – në tokën Arbëreshe Hora e Arbëreshevet 🇦🇱❤️🇮🇹, aty ku çdo gur flet me zërin e historisë mbi 500 vjeçare.

Do të sjellim një zë – një Koncert Recital Klasik në Teatrin Seminar, Ky nuk është thjesht një koncert, por një rit i artit, një shpërthim emocionesh ku e kaluara dhe e ardhmja që po shkruhen për herë të parë bashkohen në një simfoni të paharrueshme.

Së bashku me pianisten brilante dhe miken time Alba Muçolli Dehiri, më 21 mars do të sjellim një mbrëmje të jashtëzakonshme – një ngjarje unike që shënon një faqe të re në historinë e këtij vendi”, ka shkruar sopranoja Paloja në një postim në Facebook.

Koncerti mbahet në Teatrin Seminar – Sheshi Shën Nikolla 1, në Horën e Arbëreshëve, më 21 mars, në ora 18:30. / KultPlus.com

Të ngjajshme