Adi Krasta dhe këngëtarët e mëdhenj rikthehen në Festivalin e Këngës

19 Nëntor, 2017 - 11:45 am

Festivali i Këngës në RTSH në datat 21-22 dhe 23 dhjetor. Këtë vit në garë për në “Eurosong” janë 22 këngë. Pas një mungese të gjatë Manjolla Nallbani, Elton Deda dhe Redon Makashi i bashkohen festivalit.

Festivali i 56-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar në tre net. Organizatorët prezantuan dje formulën e konkurrimit. Publiku do të njihet me 22 këngët pjesëmarrëse fillimisht, nëpërmjet radios dhe televizionit. Në natën e parë do të prezantohen 11 këngë. Nata e dytë do të jetë po kështu, ndërsa nata e tretë spektakël. Gjithashtu do të ketë edhe një post-festival, ku panelistët do të trajtojnë tema të ndryshme, që kanë të bëjnë me festivalin, por jo vetëm. Gjatë ditës së djeshme, moderatori dhe gazetari i njohur Adi Krasta, regjisori Pali Kuke dhe drejtori muzikor Sokol Marsi argumentuan, se përse ky festival do të jetë i suksesshëm. Skenografia i është besuar Albi Çiflikut, ndërsa drejtues i Orkestrës do të jetë kantautori Elton Deda.

Prezantuesi Adi Krasta merr përsipër (për të gjashtën herë), që të drejtojë Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë vendim, shpjegon ai, e mori përsipër, bashkë me stafin, sepse dëshirojnë të shkojnë kundër rrymës, duke kërkuar ringritjen e festivalit. “Këtë vit duam që të ndiejmë çdo sekondë në këtë aktivitet. Duam që të bëjmë një festival ndryshe nga festivalet që kanë qenë, por edhe që do të vinë. Mbase nuk do ta bëjmë tërë jetën, sepse të paktën për mua mund të jetë festivali i fundit. Nuk pretendojmë ‘Sanremo’-n, por do të jetë një festival me gjëra të patepruara”.

Vëmendja kryesore do të jenë këngët, prandaj Krasta mendon se këngëtarët duhet të shkojnë në këtë skenë, si artistë të mëdhenj, sikur po shkojnë në skenën ‘Asiston’, që nga veshja artistike, deri tek sjellja artistike. “Nuk jemi fare të shqetësuar këtë vit se kush fiton çmimin e parë. Për mua ekzistenca e ‘Eruosong’-ut nuk më inkuriozon gjëkundi. Dëshiroj që të bëhet një shfaqje edhe për publikun, që na ndjekë nga shtëpia”. Krasta shprehet se është i emocionuar në këtë rikthim të tijin, prandaj nuk ka dëshirë, që të përjetojë asnjë skualifikim, pasi festivali zhvillohet çdo vit. Në qendër të festivalit është një ansambël; orkestra, dirigjenti dhe instrumentistët. Gjithashtu do të ketë edhe një post festival, ku do të diskutohet pas natës së parë dhe natës së dytë të festivalit.

Kësaj here, gara nuk do të jetë edhe aq e lehtë! Këngëtarët që do të marrin pjesë janë: 1) Artemisa Mithi; 2)Boiken Lako; 3) David dhe Genc Tukiçi; 4)Denisa Gjezo; 5)Elton Deda; 6) Ergi Bregu; 7) Evans Rama; 8)Eugent Bushpepa; 9) Grupi “Akullthyesit”; 10)Grupi “Lynx” ; 11) Grupi “Na”; 12) Inest Neziri; 13)Lorela Sejdini;14) Manjola Nallbani; 15) Mariza Ikonomi; 16) Orgesa Zaimi; 17) Redon Makashi; 18 Rezarta Smaja e Luis Ejlli; 19) Stefi dhe Endri Prifti; 20) Tahir Gjoci; 21) Voltan Prodani dhe 22) Xhesika Polo.

Mes 70 këngëve, që kanë aplikuar për t’u ngjitur në skenën e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH, komisioni ka përzgjedhur vetëm 22 këngë finaliste. Komisioni është përbërë nga 5 anëtarë, të cilit janë: Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi dhe Edmond Rapi. / KultPlus.com

Të ngjajshme