6 Janar, 2024 - 12:30 pm
Adriano Çelentano një nga protagonistët e padiskutueshëm të kulturës italiane, këngëtar, aktor dhe showman, ka festuar ditën e sotme 86 vjetorin e lindjes.
Këngëtari italian, me famë botërore, ka lindur në 6 janar të 1938 në Milano dhe ka plot 50 vite në skenë, ku ka arritur suksese të mëdha jo vetëm në muzikë. Falë këtyre sukseseve të padiskutueshmë, i madhi Çelentano është quajtur edhe Elvis Presley italian. Që prej vitit 1964 këngëtari ka në krah bashkëshorten e tij Claudia Mori.
Një ndër hit-et muzikore më të dëgjuara të Adriano Çelentanos në mbarë botën, përfshirë edhe në Shqipëri, është padiskutim “Azzuro”. Kjo këngë për mallin e të dashuruarve pushtoi jo vetëm Hitparade në Itali, por mbarë botën.
Adriano Çelentano numëron në karrierën e tij të gjatë muzikore 50 albume dhe 150 milionë disqe të shitura. Ai gjithashtu ka qënë protagonist në rreth 40 filma dhe në vitin 1987 nisi edhe karrierën si moderator në televizion. Suksesin më të madh Adriano Çelentano e arriti në Gjermani me filmin “Jepu majmunëve sheqer”, një histori dashurie mes një shoferi autobusi dhe një princeshe, të luajtuar nga Ornella Muti./KultPlus.com