Albin Kurti: Nexhmije Pagarusha, dada Nexhë, ishte bilbil i gëzuar por edhe ca i trishtë

9 Shkurt, 2020 - 6:42 pm

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe, mori pjesë në Akademinë Përkujtimore, dhe në ceremoninë e parakalimit të kortezhit nga Teatri Kombëtar përgjatë sheshit “Nëna Terezë” dhe “Zahir Pajaziti” deri tek Hotel Grand, në nderim të figurës së këngëtares, Nexhmije Pagarusha.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se Nexhmija e la skenën por jo edhe këngët e saj. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën e artin e saj ajo lartësoi atdheun.

Më tej, kryeministri Kurti tha se muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Akademinë Përkujtimore:

Të dashur familjarë të Zonjës sonë të madhe Nexhmije Pagarusha,
Vëllezër, Burhan, Tarik, Fitim,
Djali, Leonardi, e gruaja e tij Joana,
Mbesat, Mirjeta, Bleta e Fleta dhe nipi Sardiani,

Dashamirës të artit, miq të pranishëm dhe qytetarë të nderuar;

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Republikës, znj. Vjosa Osmani,

I nderuari Zëvendës Kryeministër Hoti,

Të nderuara ministre të Kulturës, të Drejtësisë, të Ekonomisë, e Arsimit, zonjat Dumoshi, Haxhiu, Bajrami e Hajdari,

Të nderuar ministra të Integrimeve Evropiane, Bujqësisë e Financave, zotërinjtë Reka, Mustafa dhe Bislimi,

I nderuari Ambasador i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesi, Qemal Minxhozi,   

Jemi mbledhur sot këtu për t’i thënë lamtumirë një gruaje e cila ishte simbol i muzikës, i këngës, i teatrit dhe i filmit.

Muzika dhe arti tash kanë humbur ikonën e tyre, kurse kombi ynë ka humbur anëtaren më të dashur e më të çmuar.

Ata që e kishin fatin ta njihnin nga afër e kuptonin madhështinë e saj prej artisteje dhe thjeshtësinë e jetës së saj.

Ata që kishin fatin të punonin me të, tregonin për disiplinën dhe për përkushtimin e saj në punë. Ajo nuk do të mungonte kurrë në asnjë provë e në asnjë shfaqje dhe çdoherë do të jepte maksimumin. Jetonte për atë që bënte.

Nexhmija ishte një vajzë nga fshati, larg kryeqytetit ku jetonin e vepronin njerëzit e artit e të kulturës, në një kohë e në një botë që nuk të ofronte mundësitë e nuk ta falte suksesin, por, ajo bëhej gruaja nga fshati që sfidoi paragjykimet dhe pasuroi kulturën e qytetit e të mbarë kombit.

Nexhmija u lind në Pagarushë të Komunës së Malishevës në maj të vitit 1933 nga Nëna Sehide dhe babai Veseli.

Në moshën 4 vjeçare Nexhmija do të humbte nënën, një ngjarje e rëndë që do ta prekë thellë Nexhmijën. Pa dashurinë e nënës jeta mund të jetë e ftohtë dhe e thatë, por mungesën e pranisë së nënës, Nexhmija do ta kompensonte tek babai Veseli i cili ishte prindi, shoku dhe shkëmbi në jetën e saj që do t’i ofrojë Nexhmijes së re dashurinë dhe mbështetjen e nevojshme për rrugën e mundimshme që ajo kishte përpara.

Shkollën fillore në Malishevë, e gjimnazin në Prishtinë: në familjen e Veselit nuk kishin shumë të ardhura dhe e reja Nexhmije nuk kishte radio në shtëpi por ajo merrte guximin për të kënduar. Dhe, këtu zë fill karriera e saj: këngën e kishte nisur si fëmijë, por karrierën e filloi në 1948 si këngëtare e Radio Prishtinës.

Sapo i jepet mundësia për të kënduar, e reja Nexhmije ballafaqohet me realitetin e kohës e që ishte turpi që një vajzë të këndonte në radio. E përballur me këtë trysni e padrejtësi të kohës, babai Veseli ishte aty për t’i ofruar mbështetjen dhe sigurinë e vetme që i duhej Nexhmijes përballë një bote mashkullore duke u bërë mbështetësi më i madh e adhuruesi i saj i parë.

Në amanetin e saj, Nexhmija kërkoi që të varroset në fshatin e saj të lindjes, afër babait të saj, duke treguar dashurinë e përjetshme që ndjeu për të.

Shembulli i Veselit na kujton edhe sot rolin dhe rëndësinë e pazëvendësueshme që ka babai në jetën e fëmijëve e posaçërisht të vajzave që edhe sot përballen me diskriminim e paragjykim.

Në vitet e rinisë Nexhmija ka kënduar vepra të përkthyera nga Beethoven, Verdi e shumë emra të mëdhenj të muzikës të cilët Nexhmija do t’i këndonte në shumë skena brenda e jashtë vendit.

Ajo la pas vetes 5 albume e 88 këngë, secila më e mirë se tjetra.

E krahasuan me diven franceze Juliette Gréco, por asaj asnjë krahasim nuk i rrinte. Zëri i saj ishte unik dhe njohësit e adhuruesit e merrnin për ofendim ta krahasonin me këdo.

Nexhmija, Nexhmije Pagarusha, dada Nexhë, ishte bilbil i gëzuar por edhe ca i trishtë. Një bilbil poshtë reve të një qielli të ulët dhe sipër majave të lisave të lartë. Bilbil poshtë një shteti që ishte diktaturë dhe mbi supet e një populli të lashtë si ky yni.

Por trishtimi i Nexhmijes nuk ishte ky i llojit modern që kemi ne sot. Ajo e kishte kokën e madhe, flokët korb të zi, të kontrolluar aq sa mund të kontrolloheshin, buzëqeshjen e gjerë me dhëmbë që kërcënonin me bukurinë e tyre, siluetën solide që nuk do të ikte gjëkundi, dhe, kur këndonte, seç kishte një çehre të hareshme jashtëkohore, por, që kurdo do të mund të shkrehej në vajtim. Ky nuk është trishtim modern. Ky është trishtim i llojit antik, që kapërcen dramën e shekullin XX, nuk ndalet as te Shekspiri e as te Dante, por drejt e te Homeri.

Zonja e madhe Nexhmije, që kur kishte filluar në Radio Prishtinë, nuk kishte pushuar së kënduari për afër 40 vite. Në Sarajevë në vitin 1984 ajo do të këndonte për 10 ditë rresht nën tymin e duhanit dhe në kushte të papërshtatshme për një divë.

Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme”, thoshte Nexhmija, disa tone mund t’i këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin”, në fund një koleg imi më tha “Nexhi, ti më nuk bën të këndosh kështu! E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës…kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin”.

Nexhmija e la skenën por jo edhe këngët e saj. Këngët e saj do të mbeten përjetë në skenë dhe do të këndohen nga secila gjeneratë. Me muzikën e artin e saj ajo lartësoi atdheun.

U nderua me çmime e me medalje të shumta, por gjithnjë mbetej e përulur dhe e thjeshtë në madhështinë e saj që e shoqëronte vetvetiu. Në një nga ceremonitë të ndarjes së çmimeve ajo tha: “sikundër edhe shpërblimet tjera gjatë karrierës sime, nuk më takon vetëm mua, por i takon madhështisë, kulturës së lashtë dhe të madhe të popullit tim”.

Nexhmija ishte dhe mbetet e popullit.

Përkundër famës së saj ajo jetoi thjesht. Kushdo mund ta takonte e askënd nuk e refuzonte. E harxhoi jetën e saj duke gëzuar, argëtuar e lartësuar popullin që e deshi e që i takonte, e sot një popull e nderon dhe e falënderon për punën dhe veprimtarinë e saj.

U shua fizikisht për t’u lartësuar përjetësisht si një ndër figurat më të ndritura të kombit tonë.

Përtej krijimtarisë së çmuar, mësimi që na la pas është ai i sfidimit të shanseve për sukses, i luftimit të paragjykimeve e të padrejtësive, i punës së palodhshme e të pandalshme, e dashurisë së madhe për vendin.

Me 7 Maj, në ditëlindjen e saj ajo u dekorua nga presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump me medaljen e “Mirënjohjes”. Në ceremoninë e ndarjes së çmimit ajo tha: “Kurrë s’kam menduar që do të vijë ky moment kaq i rëndësishëm për mua, kaq i dashur, kaq e lumtur jam” dhe se “Nuk e di kush është më i kënaqur, unë që jam me ju, apo ju që jeni me mua”.

Ajo sot nuk është më fizikisht me ne e mes nesh këtu, por ne jemi me të çdoherë e përherë: krijimtaria e saj do t’i rezistoj çdo kohe e do të lartësohet nga çdo brez.

Arti i saj është i pavdekshëm, zëri i saj do të na kumbojë përherë në mendje, e do të na mbushë gjithmonë zemrat tona me gazim. Andaj, jemi mbledhur sot për t’i thënë, më parë sesa për t’i dhënë, lamtumirën.

Sigurisht që pafundësisht do të vijojmë t’i gëzohemi këngës së saj, e sot e përherë, le ta nderojmë emrin e saj e le të mësojmë nga jeta e saj.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për të.
Faleminderit!

Të ngjajshme