Albumet e Dua Lipës dhe të Ermonela Jahos në top-inçizimet e vitit

18 Dhjetor, 2020 - 9:16 am

Gazeta britanike “The Sunday Times” ka bërë të ditur listën me 100 incizimet më të mira për këtë vit. Nuk mungojnë artistet shqiptare. Dua Lipa radhitet në vendin e tretë me albumin e saj “Future Nostalgia”, ndërsa lista plotësohet edhe me albumin “Anima Rara” të sopranos Ermonela Jaho, transmeton KultPlus.

Prestigjiozja britanike “The Sunday Times” ka listuar 100 incizimet më të mira të këtij viti. Mozaiku i listës që përfshin zhanre të ndryshme të muzikës plotësohet edhe me këngëtaret shqiptare që po bëjnë bujë nëpër botë. Dua Lipa radhitet e treta me “Future Nostalgia”, albumin që erdhi si inspirim nga diskoja tek vjen si nostalgji për vitet ’70. Krejt në tjetër zhanër vjen “Anima Rara” i sopranos Ermonela Jaho, i cilësuar si një kombinim elektrizues dhe i larmishëm i muzikës klasike.

“Nga albumi indie-rock i Phoebe Bridgers te rikthimi në disko i Dua Lipës, kritikët tanë të muzikës kanë zgjedhur incizime që u kanë ndihmuar gjatë vitit”, ka shkruar “The Sunday Times” para se të vazhdojë me listën për 100 incizimet më të mira të këtij viti.

“Gjashtë nominime për ‘Grammy’ dhe një koncert virtual live i ndjekur nga një audiencë prej më shumë se pesë milionë shikuesish: tingujt e sheshtë dhe retro-disko të Dua Lipës me të drejtë e dominuan izolimin”, ka shkruar “The Sunday Times”.

Image

“Future Nostalgia” nga Lipa është nominuar për gjashtë çmime “Grammy”, përfshirë atë për albumin e vitit, albumin më të mirë pop për “Future Nostalgia”, këngën, incizimin e vitit dhe performancën më të mirë pop për “Don’t Start Now” dhe performancën më të mirë pop si duo a grup për bashkëpunimin e saj me Balvin, Bad Bunny dhe Tainy, për këngën “Un Dia”. Albumi, që nga momenti kur është lansuar, më 27 mars, ka marrë kritika pozitive. Këngët shënuan suksese të njëpasnjëshme të tilla, saqë as Madonna s’i rezistoi dot bashkëpunimit me të duke u shfaqur në një rimiksim të këngës “Levitating”. Kritikat pozitive nuk munguan as për koncertin virtual “Studio 2054”. Ishte një eksperiencë intime virtuale dhe rifreskuese, koncert me plot gjallëri, ani pse virtual. Përmes tij, Lipa, pa dyshim që revolucionarizoi shfaqjet online.

Emërimi i koncertit ishte një formë moderne për të kujtuar “Studio 54”. Klubi më legjendar ndonjëherë në Manhattan, gjatë viteve kur ishte aktiv, kishte ndryshuar industrinë e klubeve të natës, ishte më shumë se aq, diçka që ende askush nuk e ka arritur prej asaj kohe. 25-vjecarja nga Prishtina vendosi që ta sillte këtë spektakël, si diçka që të krijonte ndjesinë e një videoklipi të gjatë dhe bëri bashkë yje të njohura në industrinë e muzikës si Elton John, Angele, Bad Bunny, FKA Twigs, J Balvin, Tainy dhe Miley Cyrus.

Gazeta britanike “The Sunday Times” me traditë që prej vitit 1821, në listë ka edhe albumin “Anima Rara” që doli në shitje më 25 shtator të këtij viti.

Image

“Diva shqiptare ka përfshirë role që shënojnë karrierën e saj – nga ‘La traviata’, ‘Suor Angelica’, ‘Madam Butterfly’ – në albumin dedikuar sopranos Rosina Storchio, muzës së Puccinit dhe Leoncavallos”, ka shkruar gazeta britanike. Në album, nëpërmjet 14 veprave, Jaho eksploron muzikën e mjeshtëruar nga Rosina Storchio, njëra nga sopranot më lirike dhe shprehëse e periudhës “verismo”. “Anima Rara” përfshin vepra të kompozitorëve të ndryshëm, në mesin e tyre edhe ata italianë, si Pietro Mascagni e Ruggero Leoncavallo, Giuseppe Verdi dhe Giacomo Puccini. Për realizimin e albumit “Anima Rara”, sopranoja ka bashkëpunuar me kompaninë e njohur londineze të muzikës operistike “Opera Rara”. Më herët Jaho kishte bashkëpunuar me këtë kompani edhe për incizimin e “Le Villi” të Giacomo Puccinit dhe “Zazà” të Ruggero Leoncavallos. Sopranoja, po ashtu, ka incizime të “La traviata”, “Il Trittico”, “Les Contes d’Hoffmann” dhe “Madama Butterfly”, të qasshme në CD.

Sopranoja Ermonela Jaho që nga publikimi ka kryesuar top-listat. “Presto Classical” kompania lidere për incizime të jazzit dhe muzikës klasike në Britani të Madhe – e themeluar në vitin 1986 – e ka vendosur në vend të dytë në mesin e dhjetë albumeve më të mira të muzikës klasike për këtë vit. “Gramophone”, revista lidere në botën e muzikës klasike, ka radhitur albumin e sopranos shqiptare në vend të parë në top-listën javore në fillim të tetorit. Revista me traditë gati 100-vjeçare që botohet në Londër, s’është e vetmja që ia jep vlerësimin maksimal të parit album të Jahos, për të cilin ka bashkëpunuar me orkestrën me bazë në Valencia të Spanjës “Orquestra de la Comunitat Valenciana”, njëherësh orkestra rezidente e shtëpisë operistike “Palau de les Arts Reina Sofia” dhe me dirigjentin italian Andrea Battistoni. Revista gjermane “Oper!”, në tetor e shpalli album të muajit. “Anima Rara”, po ashtu, është radhitur në mesin e “albumeve të jashtëzakonshme të tetorit 2020” edhe nga revista spanjolle “Scherzo”. Bashkë më solo-albumin e këngëtares në atë top-listë zënë vend edhe nëntë albume të tjera. Javën e parë të publikimit, “Anima Rara” po ashtu ishte përzgjedhur si albumi i javës nga kompania e njohur e muzikës klasike “Presto Classsical”. Me t’u publikuar, u radhit i pari edhe në kuadër të top-listës “Operat që duhet dëgjuar” në “Spotify”, “iTunes” dhe “Deezer” të publikuara nga “Meine Klassik”, që njihet si shtëpia virtuale për më të rejat nga muzika klasike. /koha/ KultPlus.com

Të ngjajshme