Albumi “30” nga Adele ishte më i shituri në Britani të Madhe gjatë vitit 2021

5 Janar, 2022 - 9:30 pm

Lansimi i fundit muzikor i këngëtares Adele, “30”, ishte albumi më i shitur i vitit 2021 në Britani të Madhe dhe ky sukses u arrit vetëm gjashtë javë pas daljes në treg.

Albumi, këngët e së cilit janë inspiruar nga shkurorëzimi i kantautores britanike dhe i cili është vlerësuar lartë nga kritikët, i ka shitur më shumë se 600 mijë kopje. 80 për qind e tyre ishin shitje të CD-ve çka është e kundërta e trendit të fundit për ta matur suksesin e një artisti bazuar në shitjet online.

Kështu, Adele bëhet sërish artistja më e suksesshme e vitit që e lamë pas duke i mundur yjet e tillë si, Olivia Rodrigo, Elton John dhe grupi “ABBA”. Globalisht, albumi “30” renditet në vendin e vendin e parë në 36 shtete të ndryshme.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, projekti i fundit muzikor i Adeles i ka shitur gjithsej 839 mijë kopje, vetëm në javën e parë të lansimit.

“30” po ashtu u bë LP albumi me shitjen më të madhe si dhe albumi i parë i vitit 2021 që i ka shitur më shumë se 1 milion kopje. Konkurrenti i saj më i madh në tregun e muzikës në Amerikë ishte, Morgan Wallen, këngëtari i zhanrit country i cili në fillim të vitit që e lamë pas u bë lajm në media për përdorimin e fjalëve raciste, dhe më pas i kryesoi toplistat muzikore për dhjetë javë rresht.

Siç u theksua nga televizioni BBC, në Britaninë e Madhe shitjet e incizimit të fundit të këngëtares shumë të dashur nga publiku, megjithëkëtë janë më të ulëta krahasuar me albumin e parafundit me titull, “25”.

Transmetimi përmes platformave online tani është forca dominuese e padiskutueshme në muzikë, duke zënë rreth 83 për qind të konsumit të audiencës.

Koncertet e planifikuara të këngëtares në Las Vegas, pritet të fillojnë më 21 janar dhe do të vazhdojnë deri më 16 prill të këtij viti. Besohet se për një shou në qytetin e dritave, Adele do të paguhet rreth 2 milionë dollarë.

Ylli i hitit “Someone Like You” në këtë mënyrë i bashkohet listës së legjendave të muzikës që kanë performuar për fansat në Las Vegas të tillë si, Sir Elton John, Mariah Carey dhe Lady Gaga.

Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës. / KultPlus.com

Të ngjajshme