18 Shtator, 2019 - 8:59 am
Ozzy Osbourne muajin e kaluar tha se i kishte regjistruar disa këngë gjatë rikuperimit të tij nga një rrëzim që e pësoi në fillim të këtij viti. Ai tani deklaron se materiali i ri është puna më e mirë që e ka bërë ndonjëherë, dhe gjithashtu thotë se ai e ka ndihmuar atë në shërim.
“Albumi përfundoi i gjithi brenda katër javësh”, tha ai për tabloidin britanik “The Sun”. “I thashë [bashkëshortes dhe menaxheres] Sharon se nuk ndihem sikur kam bërë album, sepse nuk i kemi bërtitur njëri-tjetrit”.
Njëra prej këngëve thuhet se quhet “Ordinary Man”, ndërsa i gjithë projekti u zhvillua nga bashkëpunimi i fundit i Osbourne me reperin Post Malone.
“Asnjëherë nuk kisha dëgjuar për këtë djalosh”, tha Osbourne. “Ai donte që unë të këndoja në këngën e tij ‘Take What You Want’, kështu që këndova, dhe pastaj gjërat rrodhën dhe u bë. Fillova ta regjistroja një album të ri me producentin e Post Malone, Andrew Watt. Janë vetëm nëntë këngë, por ishte një katalizator për të më çuar atje ku jam sot”.
Osbourne shpjegoi se ndihej “sikur nuk ishte aq në rrjedha” me industrinë, pasi e kishte kaluar pothuajse një dekadë që nga solo albumi i tij, Scream, nga viti 2010, shkruan KOHA Ditore. Ai e pranon se kishte menduar që Spotify ishte “çrregullim i lëkurës, ku zgjohesh i njollëzuar (nga ang. spotify)”.
Por ai tha se përqendrimi në punë ia tërhoqi vëmendjen nga problemet e tij shëndetësore, duke kujtuar se ai “në pozitë të shtrirë ndiente keqardhje për veten për muaj të tërë”. “Nëse nuk do ta bëja këtë album, përsëri do të isha i tërhequr, duke menduar,‘Do të rri i shtrirë këtu përgjithmonë’”, tha ai. “Më mungonte shumë muzika. Adhuruesit e mi janë shumë besnikë dhe shumë të mirë. Derisa e bëra albumin, mendova se po vdisja. Por kjo më bëri të jem më produktiv… Ky është albumi më i mirë që kam bërë”. / Koha.net / KultPlus.com