14 Shtator, 2023 - 12:50 pm
“Uniformë” është titulli i albumit të Luan Durmishit, album që do të vjen edhe nëpërmjet një koncerti e që artistin e sjell para mikrofonit tek pas tri dekadave, shkruan KultPlus.
Durmishi, që sipas tij i ka dhënë shpirtin këtij albumi, ndryshe nga lansimet e këngëtarëve tjerë, ai promovimin e albumit ka menduar ta sjell në një format tjetër.
Albumi “Uniformë” do të vjen me një koncert live, koncert që pritet të shfaqet para audiencës së Prishtinës.
“Koncerti do të vjen komplet me standarde perëndimore dhe koncept të detajizuar, por edhe me shumë surpriza”, ka thënë Durmishi për KultPlus, i cili ka njoftuar se koncerti që do të mbahet më 1 dhjetor në sallën e AMC tashmë ka nxjerr biletat në shitje.
Durmishi për albumin “Uniformë” ka treguar se janë involvuar edhe profesionistë nga jashtë, dhe se për këtë projekt që ngërthen album dhe koncert është frymëzuar nga qarqet gri, të cilat, sipas tij i neutralizojnë çështjet që kanë të bëjnë me personalen dhe kolektiven.
Por para 1 dhjetorit kur pritet të lansohet i gjithë projekti, Durmishi ka bërë të ditur se do të lansohet njëra nga këngët e albumit, e cila do të lansohet edhe me videoklip, këngë që do ti paraprijë këtij projekti për të cilin, sipas tij ka punuar shumë.
“Të gjitha këngët janë të punuara me shumë përkushtim deri në detajin e fundit dhe secila prej tyre tregon një rrëfim prej personales e deri te kolektivja” ka thënë Durmishi, i cili megjithatë ka një ndjesi më të veçantë për njërën nga këngët e këtij albumi.
“Është kënga “Panteon” që kam një ndjeshmëri më të madhe, është këngë që i dedikohet grave dhe nënave shqiptare”, ka thënë Durmishi, i cili me këtë album shpjegon se po bën edhe kthesë në paraqitjet e tij publike, pasi që deri më tash është prezantuar në muzikën klasike dhe profile të ngjashme artistike, e ky album e sjell Luan Durmishin më afër me industrinë moderne, album që ngërthen muzikën pop, elektro pop, industrial pop, por që kanë edhe elemente të muzikës klasike.
Durmishi ka bërë të ditur se albumi “Uniformë” do të përfundojë më 15 tetor, dhe të gjitha këngët janë duke u punuar në studion e dy producentëve muzikor: Tomor Kuçi dhe Dren Suldashi Suldashi.
Producent muzikor i albumit është Tomor Kuçi dhe asistent producent Dren Suldashi, kurse të gjitha tekstet dhe vijat melodike të vokalit janë të shkruara dhe krijuar nga Luan Durmishi, përveç një kënge e cila është krijuar nga Tomor Kuçi.
Në fund është bërë e ditur se biletat e koncertit “Uniformë” mund të blihen në Rave Travel, dhe biletat për këtë koncert momentalisht janë 10 euro, edhe pse, sipas Durmishit ky çmim do të rritet më vonë.
Pjesë e koncertit në bendin e Luan Durmishit janë: Albin Abazi- oboist dhe tupana, Melos Buza- pianist, Dren Suldashi- Bas Kitarë, kurse pjesa tjetër e muzikës, sipas tij do të jetë Backing Track.
Albumi dhe koncerti i Luan Durmishit vitin e ardhshëm do të filloj turneun edhe jashtë Kosovës./ KultPlus.com