Almira Emiri u prezantua me koncert recital në Prishtinë

3 Maj, 2019 - 2:02 pm

Një atmosferë e mrekullueshme u krijua në mbrëmjen e së enjtes në Sallën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare,  ku pianistja Almira Emiri përgjatë mbrëmjes përçoi tinguj të veprave të njohura muzikore, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur me shumë artdashës dhe veçantia e kësaj mbrëmje ishte se pianistja Almira Emiri për herë të parë në Prishtinë performoi një koncert recital, i cili ishte gërshetuar me vepra izraelite, shqiptare dhe hungareze.

Një emocion i papërshkrueshëm për pianisten e njohur shqiptare ndikoi që të dhurojë një interpretim jashtëzakonisht frymëzues për të gjithë artistët dhe të pranishmit që e çmojnë e luajnë instrumentin e pianos. 

Almira Emiri përgjatë një ore interpretoi vepra të ndryshme të kompozitorve si: Hector Berliozit, Kodaly, Schubert, Pigovat, Liszt, B.Pigovat, S.Gjoni, Zombola dhe Marzocchi, për të cilat, për një kohë të gjatë u duartrokit nga të pranishmit.

Për organizmin e këtij koncerti recital, Anila Bega Cohen,  organizatore e kësaj mbrëmje tregoi për KultPlus për  veçantitë e këtij koncerti që përfshin rrugëtimin mes tri vendeve që përmbante ky koncert.

Sipas saj, vet historia e ngjashme mes Izraelit dhe Kosovës ka rezultuar edhe në organizimin e kësaj mbrëmje, duke e ndërlidhë artin, që sipas saj është forma më e mirë e bashkëpunimit në mes vendeve të ndryshme.

Kurse vet pianistja Almira Emiri e cila ishte edhe më tej me emocionet e koncertit ka thënë për KultPlus se ishte e kënaqur me entuziazmin e publikut.

“Jam e nderuar që jam këtu. Është shumë kënaqësi të shohësh gjithë këta njerëz  dhe kjo është një pritje jashtëzakonisht e ngrohtë”, u shpreh pianistja Almira Emiri.

E sipas saj programin që kishte përzgjedhur është një program i cili tregon që kultura nuk ka kufi e veçanërisht për veprën “Luleborë” që kishte përzgjedhur për mbylljen e koncertit.  

“Programin e kësaj mbrëmje e kam përzgjedhur vet, duke e përpiluar atë që gjithmonë ka një dramaturgji brenda, programi është shumë ngjyrësh, i cili tregon që kultura nuk ka kufi. Ne mund të bashkëjetojmë dhe mund të bashkëpunojmë.  Jo pa dashje e mbylla me veprën ‘Luleborë’, kjo këngë  është një prej këngëve që shtetet e huaja e pëlqejnë shumë, dhe që i mbetet në mendje”, ka thënë në fund Emiri, e cila ka shtuar se mu kjo këngë ka bërë që të mbahet në mend edhe te ata që nuk e dinë gjuhën shqipe, pikërisht për shkak të muzikalitetit të kësaj kënge. / Frosina Byqmeti/ KultPlus.com

.

Të ngjajshme