7 Tetor, 2022 - 11:30 am
Një ansambël i madh instrumental i muzikës klasike, i cili kombinon instrumente nga familje të ndryshme, përbën një orkestër që janë të prirur për të luajtur një gamë të gjerë repertori. Ky grup, arrinë të marrin frymë si një, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të veprojnë në koordinim pa folur, por vetëm duke vepruar, shkruan KultPlus.
Orkestrat e fëmijëve janë ndër më të veçantat, një grup i bërë bashkë me qëllimin e mësimit të “gjuhës së muzikës” dhe kjo përbën pamjen më të bukur që mund të shoh syri i njeriut.
Por në Kosovë, një pamje e tillë na ka munguar. Por misionin për formimin e Orkestrës së fëmijëve, për herë të parë në Kosovë e ka marr Shkolla e Muzikës “Amadeus” dhe kjo nismë vjen në shënimin e 20 vjetorit të themelimit të kësaj shkolle.
Për këtë nismë mjaft të veçantë, për KultPlus ka folur përfaqësuesja e shkollës, Hana Petrovci Fetahu e cila thotë se krijimi i kësaj orkestre do të jetë diçka e mirëpritur, e nevojshme dhe shumë e dobishshme për kompletim të edukimit muzikor të fëmijëve.
“Shkolla e muzikës Amadeus, këtë vit, shënon 20 vjetorin e themelimit. Pas një pune shumë të përkushtuar të shkollës dhe stafit të saj, dhe pas përcjelljes së shumë gjeneratave nxënësish, kemi konsideruar se është koha që të iniciojmë këtë risi si edhe një kurorëzim të sukseseve tona si shkollë por edhe si një dobi për të gjithë fëmijët instrumentistë. Në Kosovë ka pasur orkestra të të rinjëve, që nënkuptojnë nxënës të shkollave të mesme të muzikës, por jo orkestra të nxënësve të shkollave fillore të muzikës dhe kjo po bëhet tani”, thotë Hana për KultPlus.
Përderisa konsiderohet që kjo është orkestra e parë me nxënës të shkollave fillore të muzikës, sipas Hanës, edhe programi do t’i përshtatet moshës dhe mundësive të tyre të interpretimit. Po ashtu për këtë do të angazhohen mësimdhënësit e instrumenteve përkatëse si dhe do të bëhet aranzhimi përkatës i veprave që do të interpretohen.
“Mësimi i lojës në instrument është specifik sepse aplikohet mësim individual (mësues – nxënës) dhe secili nxënës mund të tregojë aftësitë interpretuese duke dalë para audiencës me pika solistike. Por në fund fare, i një peshe të veçantë është muzikimi i përbashkët si koordinim grupor. Loja në orkestër që nga vitet e hershme të edukimit muzikor kompleton fëmijët si instrumentistë të ardhshëm, por edhe e plotëson përvojën individuale të rrugëtimit të tyre muzikor”, tregon tutje ajo.
Në orkestrën e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” do të përfshihen instrumentistët që zakonisht e përbëjnë një orkestër, pra harkorët, frymorët dhe sipas rastit edhe pianistët.
Përpos nxënëseve të shkollës “Amadeus” të cilët në kuadër të shkollimit të tyre do ta kenë edhe orkestrën si pjesë të procesit mësimor, konkursi është i hapur edhe për të gjithë nxënësit e shkollave publike dhe jopublike të muzikës të cilët kanë të përfunduar së paku vitin e parë të shkollës së ultë.
“Mirëpresim të gjithë nxënësit e interesuar të na bashkohen të interpretojmë së bashku dhe kështu të kompletojmë edukimin muzikor duke pasuruar edhe jetën kulturore të qytetit.”
Shkolla e Muzikës “Amadeus” tashmë ka shpallur të hapur regjistrimin e nxënësve në orkestrën e fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”, për drejtimet: Violinë, Violë, Violonçel, Klarinetë, Flaut, Kitarë, Saksofon, Trumpetë, Horne, Trombon.
“Aplikimet e fëmijëve veç se kanë filluar dhe do të fillohet me punë po sa të formohen grupet e nevojshme të fëmijëve dhe aranzhimi i veprave sipas niveleve të tyre”, thotë tutje Hana e cila krejt për fund na njofton që puna do të nis shumë shpejt, ndërsa koncertet e para nga kjo orkestër që ka nisur të marr frymë, pritet të realizohet në pranverën e vitit të ardhshëm. / KultPlus.com