4 Mars, 2019 - 7:57 pm
Mbrëmë Filharmonia e Kosovës solli koncertin e radhës. Kjo mbrëmje u përmbyll me veprën “Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi””, e kompozuar nga dirigjenti, pianisti dhe kompozitori amerikan Leonard Bernstein, shkruan KultPlus.
Koncertin e mbrëmshëm e ka përcjellur edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett. Ambasada Amerikane në Prishtinë përmes një postimi ka ndarë impresionet e ambasadori dhe bashkëshortes së tij lidhur me natën e mbrëmshme.
“Ambasadori dhe znj. Kosnett u mahnitën nga Filarmonia e Kosovës mbrëmë, që përfshiu dirigjentin amerikan Gregory Charette dhe muzikë nga West Side Story i Leonard Bernstein: një përrallë e përjetshme e dashurisë dhe faljes nëpër vija etnike. “Do të gjejmë një mënyrë të re të jetesës, do të gjejmë një mënyrë për të falur …””, shkruhet në postimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.
Vepra “Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi”, është e kishte kompozuar mes vjeshtës së vitit 1955 deri në verën e vitit 1957, ndërsa premierën e parë e pati në 1957 në Washington. Mbrëmë kjo vepër u zbërthye mjeshtërisht edhe nga orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën udhëheqjen e dirigjentit amerikan Gregory Charette, i cili vjen për të disaten herë me radhë për ta drejtuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa në edicionin e vitit të kaluar të “DAM Fest”, ka sjellur një koncert solistik me piano. / KultPlus.com