3 Prill, 2018 - 2:01 pm
Gili Hoxhaj
Dam Festivali po vazhdon që edhe në natën e pestë të tij të dëshmoj kapacitetin e talenteve të rinj në muzikë por krahas kësaj, publikut të Prishtinës po i sjellë edhe emra të njohur të muzikës nga vende të ndryshme të botës. Mbrëmë në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Kombëtare erdhi Armel Dupas, xhaz pianisti francez i cili njihet edhe si një kompozitor, artist i talentuar ndërsa ka një eksperiencë disa vjeçare në kompozimin e muzikës dhe muzikës së filmave.
Pranë perdeve të zeza, me një ndriçim të zbehtë e me mbishkrimin DAM qëndronin dy pianot e Amel Dupas të cilat do të sillnin një gërshetim tingujsh mes digjitalizimit dhe organikës, një veçori që sillte një dimension të ri të lojës pianistike. Krahas kësaj artisti francez kishte një përjetim të mahnitshëm artistik derisa lëvizte mes dy pianove e ndonjë tinguj e bënte atë që të ngrihej e të lëvizte nga pozicioni i rëndomtë i pianistit.
Kjo ishte hera e dytë për të në Prishtinë, ai tha se ndihet i lumtur që të vij këtu për të dytën herë, e veçmas që po merr pjesë në një koncert të muzikës klasike, për të sjellë veprat e tij, të cilat i përkasin shekullit 21. Koncerti i tij solo i titulluar “Upriver” është i bazuar në një projekt të tij që është pjesë e albumi të publikuar më 25 gusht 2015, në një stil elektroakustik që sjellë tingujt e xhazit.
Ai solli një vepër të cilën e kishte shkruar në një ambient të qetë dhe malor, e menjëherë pas kësaj për publikun solli një vepër premierë, të cilën nuk e kishte luajtur më parë pranë një publiku tjetër.
“Tani do të luaj diçka që nuk kam luajtur ndonjëherë më parë, para dikujt…quhet “Oksigjen” dhe është tërësisht e re”, tregoi Dupas, tingujt e të cilës depërtuan në çdo pjesë të ambientit.
Krahas veprave të tjera, ai për publikun solli edhe një nga veprat e tij më të njohura “A night walk”.
“Veç udhëtimi me këtë muzikë është i mrekullueshëm, e lëre më të vi këtu. Nuk di shumë për vendin tuaj por jam i lumtur që jam këtu. Për herë të parë erdha në Kosovë në vitin 2012 dhe u prezantova me muzikë xhaz. Kësaj radhe erdha me projektin tim të ri “Upriver” e që është një gërshetimi muzikës jazz me atë elektorinike” u shpreh pianist Dupas gjatë mbrëmjes së kaluar.
Pinisti Dupas pas secilës pjesë gjatë interpretimit të tij foli edhe për probleme të tjera siç është dhuna, këtu ai tha se e di për situatën e vështirë në të cilën është ndodhur Kosova 18 vite më parë, ndërsa thotë se një situatë të tmerrshme kishin përjetuar edhe ata, siç është terrori i sulmeve që ndodhën tri vite më parë në Paris. Këtu pianisti shtoi se muzika duhet të jetë një kundër përgjigje e dhunës e gjërave të këqija.
Dam Festival do të vazhdoj sonte natën e gjashtë të festivalit, në kuadër të se cilës ora 18:30 do te prezantohen veprat e kompozitorit Artan Hasani dhe prezantimi premiere i ansamblit vokal Zanat ndërsa nga ora 20:00 Etydet për piano nga PhilipGlass në interpretim të GregoryCharette. Të dy koncertet mbahen ne Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com