Andrea Bocelli do të performojë në katedralen e zbrazët “Duomo”

8 Prill, 2020 - 9:47 am

Këngëtari italian i operës, Andrea Bocelli, ndryshe i njohur si një nga tenorët më të famshëm në botë, do të performojë në katedralen e zbrazët të Milanos, “Duomo”, të dielën më 12 prill. Koncerti i cili do të transmetohet live konsiderohet si simbol i dashurisë, shpresës dhe shërimit, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit e cila e ka goditur rëndë shtetin e Italisë.

Bocelli në këtë interpretim do të shoqërohet vetëm nga instrumentisti, Emanuele Vianelli, i cili do t’i bie një prej organove më të mëdha në botë.

Koncerti në fjalë do të transmetohet live në kanalin e tenorit Bocelli, në platformën muzikore YouTube, të dielën në ora 17:00, transmeton Koha.

“Jam i nderuar dhe shumë i lumtur t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së qytetit të Milanos, për të performuar në katedralen ikonike ‘Duomo’. Unë besoj në fuqinë e lutjes së përbashkët. Unë besoj në festën e Pashkëve e cila e simbolizon rilindjen dhe të gjithë ne, pavarësisht a jemi besimtarë apo jo, kemi nevojë për këtë,” citohet të ketë thënë Bocelli.

Italia që vazhdon të jetë në karantinë, e ka pësuar një prej goditjeve më të mëdha në botë nga COVID-19, si pasojë e së cilës rreth 16.523 njerëz e kanë humbur jetën dhe afërsisht 133.000 të tjerë janë prekur nga kjo sëmundje. Milano dhe regjioni në rrethinë Lombardy, janë më të ndikuarat nga kjo pandemi. / KultPlus.com

Të ngjajshme