2 Shkurt, 2025 - 10:00 am
Flonja Haxhaj
Të premtën mbrëma, publiku në Pallatin e Rinisë në Prishtinë pati mundësinë të shijoë një spektakël të veçantë muzikor, ku Orkestra e Filharmonisë së Kosovës shpalosi një program të larmishëm. Veçantia e këtij koncerti ishte padyshim edhe prezenca e flautistit të mirënjohur italian Andrea Griminelli, shkruan KultPlus.
Nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, koncerti u hap me veprën premierë ‘Rush Hour 2’ të kompozitorit të ri Lum Halabaku. Kjo vepër solli një dimension të ri në skenën e muzikës klasike në Kosovë duke dëshmuar potencialin e krijuesve të rinj.
Pas këaj vepre, pjesa kulminante e mbrëmjes iu rezervua virtuozit italian të flautit, Andrea Griminelli, i cili interpretoi Koncertin për Flaut nr. 1 të Mozartit, duke e magjepsur publikun me teknikën dhe elegancën e tij të rrallë. Pas këtij interpretimi solistik, Griminelli u ngjit në skenë së bashku me flautisten e njohur kosovare, Venera Mehmetagaj-Kajtazi, për të interpretuar koncertin për dy flauta nga Domenico Cimarosa.
Një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes ishte dedikimi special i Griminellit për Mehmetagajn me interpretimin e ‘The Flight of the Bumblebee’. Ky moment kishte një domethënie të veçantë, pasi shënoi ribashkimin e dy artistëve në skenë pas 43 vjetësh që nga koha e studimeve të tyre në Paris.
Koncerti u përmbyll me interpretimin e Simfonisë Nr. 8 të Beethovenit, një homazh për 255-vjetorin e gjeniut klasik. Kjo pjesë e fuqishme simfonike solli një mbyllje madhështore të një mbrëmjeje të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.
Pas koncertit tij të parë në Prishtinë, për KultPlus foli Andrea Griminelli, i cili u shpreh i lumtur sidomos për atmosferën dhe energjinë që mori nga publiku.
“Audienca ishte e mrekullushme, dua ta falënderoj publikun e Prishtinës sepse është hera ime e parë këtu dhe gjeta një atmosferë dhe energji e mrekullushme. Për mua ishte një eksperiencë e shkëlqyeshme këtu dhe shpresoj të rikthehem prapë. Bashkëpunimi me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës ishte i mrekullueshëm, ata do të vijnë në Itali në nëntor, shpresoj t’i takoj dhe të bëjmë muzikë bashkë“, u shpreh Griminelli i cili shtoi se ishte i relaksuar me komunikimin përfekt që kishte me orkestrën dhe dirigjentin gjatë koncertit.
Ndërkaq, për flautisten Venera Mehmetagaj – Kajtazi, ky koncert ishte një nga më emocionuesit e karrierës së saj sepse manifestoi plot 50 vite karrierë në këtë fushë. Po ashtu, kjo mbrëmje për Venerën ishte akoma më e veçantë me paraqitjen e Andrea Griminelli, shokut të saj të studimeve.
“Sot vërtet kam pasur aq shumë emocione, sa nuk e mbaj mend që në 50 vite karrierë të jem ndjerë kështu. Sot jam ndjerë komplet ndryshe, marrë parasysh edhe prezecën e Andrea , të cilin e njoh tash e 43 vite, që nga studimet e mia në Francë, e që në këtë mbrëmje erdhi posaqërisht për mua”, u shpre ajo për KultPlus.
Pas koncertit, për KultPlus foli edhe dirigjenti Dario Salvi, e që tashmë është një emër i njohur për publikun në Prishtinë, me paraqitjet e shumta të tij me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.
“Andrea është një prej flautistëve më të njohur në të gjithë botën, ai është mik me shumë pop artistë të rëndësishëm në botë. Nuk kemi punuar asnjëherë bashkë dhe ka qenë absolutisht kënaqësi e jashtëzakonshme të punoj me të. Audienca ka filluar të familjarizohet me mua dhe të më njohë më shumë dhe të kuptojë që unë jap krejt veten time në koncerte dhe edhe reagimet janë më të mëdha çdo herë e më shumë, gjë që është fantastike. Ne prezantuam një repertor shumë interesant sot duke filluar me ‘Rush Hour 2’ të kompozitorit shqiptar e që ishte nje pjesë e vështirë për ne, ne punuam shumë dhe në fund ai dhe ne ishim të lumtur. Më pas interpretimi i Andreas dhe Venerës me Mozart, pjesë në të cilën ne tentuam që të rikrijojmë një stil e krejt në fund me Beethoven nr.8, simfonia ime e preferuar, e që ia dolëm në mënyrë përfekte”, theksoi Salvi.
Ndërkaq, koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës do të jetë më 17 shkurt 2025, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, nën drejtimin e Baki Jasharit dhe me solistë pianistin Shkëlzen Baftijari dhe mexosopranon Flaka Goranci./KultPlus.com