Anna Oxa, rebelja shqiptare që i dha jetë një stili muzikor në Itali (VIDEO)

2 Gusht, 2017 - 6:16 pm

Një ndër këngëtaret më të respektuara në Itali, për fatin tonë është me origjinë shqiptare.

Iliriana jonë ka vite që njihet në Itali me emrin Anna Oxa, në të cilin emër ajo edhe ka ndërtuar karrierën e saj muzikore.

Sot 56 vjecare, Anna Oxa ka ditur të ndërtojë personalitetin e saj. Fituese dy herë e festivalit Sanremo – festivali më prestigjioz i muzikës në Itali, pjesëmarrëse në Eurovizion për Italinë, Anna Oxa është një rebele në stilin e saj muzikor por edhe një grua e cila kur del në televizion, është gjithmonë kryesorja e natës.

https://www.youtube.com/watch?v=1NIRfFsoF8U

Aktive në muzikë qysh në vitin 1978, Iliriana ka lindur në Bari të Italisë. Me babanë nga Kruja dhe nënën italiane, ajo debuton në Sanremo me këngën “Un Emozione Da Poco” dhe që atëherë, Anna Oxa del në skenë dhe italia mahnitet.

Ajo ka realizuar mbi 15-të albume në karrierën e saj muzikore, secili i radhitur mirë e më mirë në Evropë. E nisi me albumin “Oxanna” më pas me “Oxa”, “Pensami per te”, “Di Questa Vita”.

Ajo fitoi dy herë në festivalin e San Remos : në vitin 1999 me këngën “Senza pietà” dhe në vitin 1989 me “Ti lascerò” (duet me Fausto Leali). Me Fausto Leali-n në vitin 1989 mori pjesë në Eurovision, ku ata përfaqësuan Italinë me këngën “Avrei voluto” dhe morën vendin e nëntë. Ajo ishte prezantuese e festivalit të San Remos së bashku me Pippo Baudo në vitin 1994. Ishte po ashtu ndër të tjera edhe moderatore e shfaqjes së njohur italiane “Fantastico” në vitet 1988 dhe 1989. Në vitin 1979 mori pjesë në filmin “Maschio, femmina, fiore, frutto” nën regjinë e Ruggero Miti-t, shkruan KultPlus.

Në një intervistë në vitin 2010 ajo tregoi se ka qenë në Shqipëri disa herë, në Tiranë dhe sidomos në Krujë dhe i pëlqen shumë vendi i origjinës së babait të saj. / KultPlus.com

Të ngjajshme