Anna Tafani një yll në ngjitje në operan australiane

15 Nëntor, 2020 - 10:30 pm

Për shkak të COVID-19 çdo aktivitet kulturor, zbavitës dhe argëtues ishte anuluar për disa muaj me radhë në Australi, lehtësimet e reja të kufizimit pritet që të ringjallin disa prej tyre. Një ndër to do të jetë dhe aktiviteti i “Brisbane Concert Orchestra”  të cilët kanë përfunduar përgatitjet dhe kanë shitur tashmë  biletat për shfaqen e tyre “Festimi i muzikës” e cila do të ketë premierën në dhjetor.

Në këtë performancë do të marrë pjesë dhe shqiptarja Anna Tafani, e cila është një soprano lirike shqiptare e diplomuar në “Konservatorin Queensland” në Universitetin Griffith.

Gjatë studimeve të saj, ajo është prezantuar në shumë shfaqje prestigjioze përfshirë “Simfoninë e 8-të Mahler” në Qendrën e Arteve Performuese të Queensland dhe Simfonia e 9-të të Beethoven në Konservator drejtuar nga Johannes Fritzsch. Ajo mori pjese në produksionin e ri të Mozartit “La Finta Giardiniera” drejtuar nga regjisori fitues i shumë ccmimeve Immara Savage.

Aktualisht Anna po përgatit rolin e gruas së 2-të në operën e “Purcell Dido dhe Aeneas” nën drejtim e lektorit të saj të zërit dhe njëherazi President Kombëtar i ANATS, Shelli Hucombe.

Anna Tafani ësht përshkruar nga stafi i Konservatorit si një këngëtare premtuese me një zë karakteristik. Një nga rolet e saj të ëndërruara është ai i Vilotës bë opera “La Traviata” të e Verdit dhe është shumë entuziaste për interpretimin.

Anna ka lindur në qytetin e Belshit ku dhe ka mbaruar shkollimin deri në gjimnaz. E pyetur se si dhe kur lindur dashuria ndaj muzikës, ajo u përgjigj:

“Nga kujtimet e mia, besoj që dashuria ime për muzikën ka ardhur shumë natyrshëm dhe gradualisht. Fillimisht, si fëmijë, merrja pjesë nëpër festivalet që organizoheshin në shkollë dhe në lagje, por duke qenë se nuk vij nga një familje me formim artistik, nuk e mendoja që muzika do të ishte profesioni im në të ardhmen. Asokohe, isha me shumë e lidhur me muzikën e lehtë dhe idhujt e mi ishin këngëtarët e tipit Whitney Houston apo Celine Dion, por nuk kisha dëgjuar asnjëherë opera. Në vitin e parë të gjimnazit fillova të marr mësime private kantoje (me idenë që do këndoja muzikë të lehtë) dhe pianoje në Elbasan, në të njëjtën kohe ndiqja edhe  gjimnazin e përgjithshëm në Belsh. Në fillim kisha shumë hezitim për interpretimin e muzikës klasike, por dalëngadalë u kthye në pasionin tim më të madh të cilin vazhdoj ta përvetësoj deri në ditët e sotme.

A ka ndikuar profesioni dhe shkollimi në emigrimin tuaj  në Australi?

Kam ardhur në Australi para 4 vitesh, ku mu desh të konkurroja sërish në Konservatorin e Queensland-it, dhe një nga arsyet madhore të emigrimit ka qenë për të pasur mundësi më të mira shkollimi dhe zhvillimi të profesionit tim. Gjatë qëndrimit tim në Australi, jam munduar të marr pjesë në aktivitete të ndryshme me organizatat shqiptare, si për të ruajtur kulturën dhe për t’ia trashëguar dashurinë për Shqipërinë brezave të ardhshëm, por edhe sepse lidhja ime me Shqipërinë është shumë e fortë dhe ndihem mirë kur gjendem në “Shqipërinë e vogël” të Australisë.

Jeni prezantuar para publikut shqiptarë në Melburn në festivalin dhe mbrëmjen e Pavarësisë, me këngë popullore, patriotike dhe ato qytetare, kur do të shohim Annën në një prezantim klasik ndoshta në duet me tenorin shqiptar Agim Hushi i cili jeton në Sidnej?

Po, është e vërtetë që deri më tani jam prezantuar vetëm me këngë popullore dhe qytetare dhe kjo për faktin sepse nuk ndihesha gati profesionalisht të jepja një koncert recital klasik. Unë do të diplomohem në pak javë dhe kam koncertin tim të parë recital në Dhjetor, por në të njëjtën kohë po përgatis një repertor me romanca dhe arie shqiptare për të organizuar koncerte për komunitetin Shqiptar në shtete të ndryshme në Australi. Absolutisht që do të kisha shumë dëshirë të performoja bashkë me tenorin tonë Z. Agim Hushi.

Nëse një ditë do të kishit mundësi të performoni në skenë së bashku me një artist tjetër, cilin do ta kishit zgjedhur?

Normalisht që ka shumë artistë të shkëlqyer nëpër botë qe do të doja të bashkëpunoja, ama të ndash skenën me artistë të tjerë shqiptarë, siç ka bërë për shembull Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, është një krenari shumë e madhe për ti treguar botës që Shqipëria, një vend shume i vogël, ka nxjerrë artistë me suksese ndërkombëtare. Unë jam shumë krenare për prejardhjen time dhe nuk do ngurroj asnjëherë të flas për vendin tim.

Ndoshta në këto momente Anna Tafani është në fillim të karrierës së saj por jemi të bindur që një ditë ky emër do të ngrihet në piedestalin më të lartë botëror të muzikës klasike./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Të ngjajshme