Ansambli austriak “Trio Alba” me një komunikim të rrallë artistik përmbylli edicionin e 18-të të KamerFest

10 Nëntor, 2017 - 11:12 am

Festivali i muzikës kamertale Kamerfest Kosova përmbylli mbrëmë edicionin e tetëmbëdhjetë, duke sjellë koncertin e fundit të titulluar “Artistët Austriakë për KamerFest”, nën interpretimin e ansamblit austriak Trio Alba, shkruan KultPlus.

Pas shumë koncerteve mbresëlënëse, Kamerfesti mbrëmë arriti që në koncertin e njëmbëdhjetë në skenën e Amfiteatrit të ri në Bibliotekës Universitare të sjellë artistë me një shkollim të lartë muzikor në Austri, Livia Sellin në violinë, Philipp Comploi në violoncello dhe Chengcheng Zhao në piano. Ata përmes instrumenteve të tyre sollën një rrugëtim të plotë muzikor në interpretimin e veprave kolosale të Haydnit, Mozartit dhe Smetanas.

Tingujt e këtij ansambli para se të vinin për të parën herë në Kosovë, kishin lëvizur në skenat e festivaleve kamertale në Itali, Austri, Gjermani, në Amerikë të Jugut, në Argjentinë e vende të tjera.
Livia Sellin në violinë dhe Philipp Comploi në violoncello, para publikut u shfaqën të ulur përballë njëri-tjetrit, derisa harqet e instrumenteve që mbanin në duar ngriheshin me të njëjtën shpejtësi, e përcillej mes shikimeve që ndanin me njëri-tjetrin. Përmes lojës së tyre të instrumenteve në harmoni me qëndrimin e tyre në skenë, ata këtij koncerti i sollën më shumë se tinguj duke shfaqur lëvizje artistike brenda pozicionit të tyre.

Jo shumë larg tyre buronin tingujt e pianistes Chengcheng Zhao, që kishte vendosur të gjithë gishtërinjtë në lojë përmes lëvizjeve që shumë rrallë frenoheshin. “Qëllimi ynë nuk është vetëm të qëndrojmë në skenë, por të luajmë një tingull dhe të japim një imazh të saj”, tregoi pianistja për KultPlus.

Të tre brenda skenës vepronin me një instinkt të rrallë artistik, derisa kishin gjetur një pikëvështrim ku shikimet e tyre ndesheshin, ata takoheshin mes tingujsh, e lëvizjet e tyre të kokës lëviznin me shpejtësinë e njëjtë të melodisë. Interpretimi i përkryer e pianistes Chengcheng Zhao i solli një energji të re këtij koncerti, ku dukej sikur asnjë muskul i dorës së saj nuk mbetej jashtë lojës, derisa koka e saj herë përulej shumë pranë pianos e herë kthehej tek instrumentistët e tjerë, e kur intensiteti i tingujve shtohej, vërehej një ngritje e trupit të saj nga vendi ku ishte ulur. Edhe pse ishte hera e parë që ajo performoi para publikut në Prishtinë, ajo thotë se gjatë interpretimit e ndjeu ngrohtësinë dhe komunikimin me të pranishmit.

“Është një kënaqësi e madhe të vij në Kosovë, sepse kam dëgjuar shumë më herë për Kosovës përmes televizionit, radios dhe gazetës por nuk kam ditur kurrë se ku gjendet Kosova. Sot u ndjeva shumë ngrohtë në mikpritjen e publikut, veçmas kur vëreja koncentrimin e tyre të plotë gjatë performancës tonë. Ishte shumë e rehatshme për mua të performoj këtu”, tregoi pianistja kinezo-austriake për KultPlus.

Drejtoresha artistike e këtij festivali Sihana Badivuku rrugëtimin një mujor të këtij festivali e përshkroi si shumë të suksesshëm duke qenë se kishin arritur që këtij edicioni t’i sjellin interpretim nga rreth tridhjetë artistë vendor e ndërkombëtar. Ajo e vlerësoi çdo koncert të këtij edicioni si një festival në vete.

“Duke qenë se është edhe edicioni i tetëmbëdhjetë, duket sikur ia kemi marrë dorën, shpresojmë që ta vazhdojmë edhe për dy vite. Mirëpo si çdo vit dalin vështirësi të reja që si infrastruktura e sallave, bartja e pianove, ambienti i ftohtë. Përkundër vështirësive ekziston edhe energjia e neve si organizatorë dhe e publikut i cili është i etshëm. Nga pikëpamja artistike jemi shumë të kënaqur për shkak se kemi arritur të sjellim rreth tridhjetë artistë eminent dhe të njohur shqiptar dhe ndërkombëtar dhe dhjetë vepra premierë. Mirëpo, kemi shumë pak përkrahje për ta mbuluar një koncert të formatit të tillë”, tregoi Badivuku për KultPlus.

Kritiku muzikor Nestor Kraja tha se këtë festival e cilëson si një nga festivalet më të rëndësishme dhe autoritare që organizohen në Prishtinë, dhe që si i tillë ka nevojë për më shumë përkrahje institucionale.

“Unë mendoj që KamerFesti është një nga festivalet më autoritare në Prishtinë i cili sjellë instrumentist të shquar, organizon mbrëmje të nivelit të lartë kulturor dhe jep një shembull të rëndësishëm edhe për aktivitetet të tjera. Unë mendoj se së bashku me Remusicen dhe Dam Festivalin janë tre festivalet më të rëndësishme që zhvillohen në Prishtinë, të cilët duhet të mos trajtohen si festivale të zakonshme por të mbështeten financiarisht nga Ministria së Kulturës. Festivale si ky promovojnë vlera dhe japin një jehonë të tillë në Evropë që nuk mund të zëvendësohet me asnjë aksion tjetër qoftë politik apo kulturor”, u shpreh Kraja për KultPlus.

Pas çdo interpretimi, duart e tyre ngriheshin lart duke qëndruar në atë pozicion për ca qaste, e ktheheshin me ngadalësi tek instrumentet. Për publikun e sallës ishte e vështirë shkëputja nga kjo lojë e mrekullueshme artistike, andaj përmes duartrokitjeve ktheu në skenë ‘Trio Albën” për shumë herë. Mes duartrokitjeve e entuziazmit, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler dhuroi buqeta lulesh për këtë ansambël. /KultPlus.com

Të ngjajshme