Ansambli ‘MATI’ nga Shqipëria fitues i festivalit ‘I këndojmë Lirisë’ në Klinë

10 Qershor, 2023 - 9:31 pm

Ansambli i këngëve dhe valleve “MATI” nga Shqipëria është shpallur fitues i edicionit të 21-të, të Festivalit Folklorik ‘I këndojmë Lirisë’, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Mujë Krasniqi” të edicionit të 21-të të këtij festivali e ka fituar ansambli i këngëve dhe valleve “Mati” nga Shqipëria.

Vendin e dytë në këtë festival e ka marrë Qendra Kulturore “Anamorava” nga Vitia.

Vendin e tretë AKV “Kastriotët” nga Ferizaj, ndërsa çmimi i publikut i ka takuar ansamblit të këngëve dhe valleve “Minatori”.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka falënderuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e festivalit duke thënë se si Komunë e kanë mbushur qëllimin  e tyre në organizimin e këtij festivali pasi është shumë domethënës në karakterin dhe cilësinë e Komunës së Klinës.

“Në emër të komunës së Klinës, si organizator i festivalit, i falënderoj grupin organizator për organizimin e shkëlqyeshëm të festivalit, jurinë për punën e tyre, pjesëmarrësit që ia kanë shtuar hijeshinë festivalit.

Ne si komunë e kemi mbështetur Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar ‘I këndojmë lirisë’ duke bërë të mundshme që festivali ta përmbush qëllimin, sepse festivali për Klinën është shumë domethënës, për karakterin dhe cilësinë duke u bërë tashmë tradicional dhe identifikues dhe do të vazhdojmë ta mbështesim çdo herë”, ka shkruar Elezaj në facebook.

Kryetari Elezaj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit, i cili i kushtohet heroit kombëtar Mujë Krasniqi-Kapuçit ka përkutuar të gjithë të rënët për liri.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për heronjtë e UÇK-së!

Lavdi të gjithë të rënëve për çlirimin e Kosovës!”, ka thënë Elezaj./KultPlus.com

Të ngjajshme