2 Shtator, 2024 - 10:06 am
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka marrë pjesë në festivalin spanjoll në Salamanka.
Ansambli “Shota” në edicionin e tretë të këtij festivali ka dhuruar shfaqje me elemente të kulturës dhe traditave shqiptare, përmes kostumeve tradicionale, ritmeve dhe koreografive të pasura.
Drejtori i Ansamblit, Mehmed Xhemajli, ka thënë se një performancë e tillë me elemente të kulturës dhe traditës shqiptare ka mahnitur shikuesit spanjollë.
“Performanca është pritur me shumë entuziazëm nga publiku vendas, i cili ka pasur mundësinë të njohë dhe të përjetojë nga afër një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Kjo shfaqje është një dëshmi e rëndësisë së ruajtjes dhe promovimit të traditave kombëtare në skena ndërkombëtare”, ka theksuar drejtori Xhemajli.
Ai më tej tha se një performancë e tillë e Ansamblit “Shota” në Salamankë jo vetëm që pasuron skenën kulturore ndërkombëtare, por gjithashtu forcon lidhjet kulturore mes Spanjës dhe Kosovës./ KultPlus.com