20 Nëntor, 2024 - 10:50 pm
Vjollca Duraku
Në kuadër të “Musical Conversation” sot është interpretuar një koncert me violinisten Antoinette Lohmann dhe ansamblin e harqeve të Filharmonisë së Kosovës, i cili u mbajt në formë të një koncert-ligjërate mbi teknikat barokiene të interpretimit në harqe, shkruan KultPlus.
Pjesë e publikut në këtë koncert të veçantë kanë qenë nxënësit e shkollave të muzikës, të cilët nga afër ndoqën koncertin dhe krahas tij edhe ligjëratat e profesionistes holandeze, Lohmann, dhe mbi të gjitha interpretimin e veçantë të instrumenteve harkore me tela zorrësh.
Antoniette Lohmann ka studiuar violinën, violën dhe violinën baroke në Konservatorine Amsterdamit. Si muzikante e pavarur, ajo ka performuar dhe incizuar me shumë orkestra dhe ansamble në të gjithë botën. Aktualisht repertori i saj shtrihet prej shek. XVII deri në shek. XXI, gjithmonë interpretuar nga një perspektivë e caktuar historike.
Kryesisht u interpretuan tinguj të qetë, te cilët kur interpretoheshin në intervale më të gjata kohore krijonin tinguj fisnikë, të cilët integorheshin lehtas mbi nxënësit të cilët e ndiqnin koncertin plotë koncertin, e i cili luhej pa dirigjent. Interpretimi duke i goditur lehtas telat e instrumentve harkore, si dhe interpretimi me gishtrinjë nga instrumentistët ndryshonte komplet ritmin e tingujve të nxjerrë aq mrekullisht.
Në koncert u interpretuan veprat e Georg Muffat: “Sonatë nr.2 në g-mol” (Grave, Allegro, Grave, Forte e allegro, Aria, Grave, Sarabande, Grave, Borea) dhe Carlo Farina “Capriccio Stravagante”: La Lira, ll Pifferino, Lira variata, Qui si batte con il legno dell’archetto sopra le corde, La trombetta, ll Clarino, La Gallina, ll Gallo, ll Flautino pian piano, ll Tremulo, ll Fifferino della Soldatesca, ll Gatto, ll Cane, La Chitarra Spagniola.
Instrumentistët të cilët interpretuan ishin: Violinë-Visar Kuqi, Liridon Ballata, Arion Ballata, Mrika Hoxha, Fjolla Koxha; Violë- Lumnije Osmani, Njomza Bislimi, Vjosa Hoxha, Ardian Shala; Violonçel- Adorel Haxhijaj, Vjosa Berisha, Narta Zeqiri; Kontrabas- Feriz Feka; Harpsikord-Lekë Salihu.
Në fund të koncertit, fëmijët, violinistja Lohmann dhe instrumentistët realizuan së bashku fotografi, të cilat do të mbeten si kujtim mjaftë i bukur i këtij koncerti me shumë vlerë për ta.
Në fund të koncertit, violinistja Mrika Hoxha, ka thënë se ky koncert ka qenë për të mjaft i veçantë pasi kanë interpretuar me një teknikë jo shumë të zakonshme.
“Telat që i përdorim zakonisht janë pak më të lehtë për interpretim ngase harku është më i gjatë, dhe mund të interpretosh fraza më të gjata. Kanë qenë pak ditë prej kohës kur kemi filluar të ushtrojmë, por në përgjithësi besoj që për të gjithë anëtarët ka qenë një përvojë krejtësisht ndryshe. Kemi mësuar diçka rreth luajtjes edhe në tela me zorrë por edhe rreth veprave pasi është stil i veçantë i të luajturit”, ka thënë violinistja Hoxha, duke potencuar se interpretimi në këtë koncert pavarësisht sfidave për të ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme.
“Ka qenë sfidues për arsye se kemi qenë pa dirigjent, ka kohë të gjatë që nuk kemi luajtur pa dirigjent, ngase duhet tjetër koncentrim për ta përcjellë më shumë njëri-tjetrin. Është goxha më e vështirë, sidomos kur nuk luan shpesh. Është e vështirë ngase nuk e ke dikë që të mban ritmin, duhet vet të gjindesh, duke e mësuar veprën e secilit ku kyqet dhe çka bën. Është shumë vështirë, por gjithsesi është më shumë kënaqësi”, ka thënë Hoxha.
Ndërkaq, drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj, ka thënë se ky koncert konsiderohet i rëndësshëm për institucionin për arsye se ka të bëj me edukimin e gjeneratave në ardhje.
“Koncerti i sotëm është pjesë e programit të Filharmonisë, por jo pjesë e programit të sezonit në kuptimin që është koncert specifik. Është koncert i cili për Filharmoninë është pjesë e programit të artit në shkolla, por në këtë rast për një audiencë më specifike për shkolla të muzikës dhe Fakultetin e Arteve”.
Më tej drejtori Selimai këtë projekt të ESTA Kosova e ka quajtur për disa arsye të mirëseardhur.
“E para për të krijuar një eksperiencë të re brenda orkestrës, lojën e një repertori të cilin nuk e kemi luajtur më herët, por edhe veprat të cilat janë luajtur, nuk janë luajtur me specifikat që i ka repertori i harqeve. Në të njëjtën kohë për të prezantuar një formë të muzikimit për muzikantët e rinj, të cilët nuk kanë akses në koncerte të tilla, që të edukohen edhe mësohen në literaturën e cila është në përdorim të sistemit edukativ të edukimit muzikor në Kosovë”, ka përfunduar drejtori Selimaj./ KultPlus.com