3 Dhjetor, 2023 - 11:00 am
Në vazhdën e publikimit të arkivave personale përmes të cilave shkodranët përcjellin trashëgiminë kulturore, DRTK Shkodër prezanton dy objekte me vlerë, kitarën dhe violinën e kompozitorit të shquar Pjetër Gaci.
Kitara e kompozitorit Pjeter Gaci është një ndër objektet që ruhet me fanatizëm në familjen Gaci. Kompozitori pjesën më të madhe të jetës e kaloi duke prodhuar tinguj pranë saj, si bashkëudhëtare e veprave që artisti realizoi, që ngjallin sot kujtime sa të ëmbla aq edhe të trishta për familjen. Ndërsa violina e Pjeter Gacit është e vitit 1827, imitacion i Carlo Bergonzit. Dëshira e tij për violinë ka lindur qysh në moshën 10-vjeçare, kur shkonte që të peshkonte në Velipojë apo në Shirokë, para çlirimit të vendit dhe u jepte ushtarëve italianë peshk, në shkëmbim të disqeve me muzikë klasike.
Violinën e kompozitorit sot e ka trashëguar e mbesa e tij, Elizabeta Dodmasej, të cilën xhaxhai ia dhuroi për rezultate të shkëlqyera në mësime. Dodmasej mbaroi studimet në shkollën “Prenk Jakova”, dhe më pas Konservatorin e Arteve (sot Universiteti i Arteve). Gjatë kësaj periudhe ajo interpretoi në Tiranë me këtë violinë kaq të vyer. Për 14 vjet ajo ka punuar si mësimdhënëse në shkollën “Prenk Jakova”. / KultPlus.com