28 Prill, 2025 - 10:31 am
Kantautori i njohur Armend Rexhepagiqi ka bërë të ditur përmes një njoftimi në rrjete sociale se tashmë të gjitha tetë albumet e tij janë të disponueshme në platformat më të njohura muzikore si Spotify, Apple Music, YouTube, Deezer dhe TikTok.
Rexhepagiqi, i njohur për vokalin e tij të veçantë dhe tekstet që prekin zemrat e dëgjuesve, ka shprehur mirënjohje të thellë për skuadrën e tij që ka punuar në arkivimin dhe përpunimin e materialeve muzikore. Ai gjithashtu ka njoftuar se shumë shpejt do të publikohet albumi i tij më i ri, me titull “Dashni e vjetër”, që pritet të sjellë këngë të reja dhe të forcojë lidhjen shpirtërore që ai ka ndërtuar me publikun ndër vite.
“Shumë shpejt atyre do t’ju bashkangjitet edhe albumi im i ri “Dashni e vjetër” me këngët më të reja që, shpresoj, do t’arrijnë ta forcojnë dashurinë e vjetër mes juve dhe meje”, ka shkruar ai.
Artisti është aktiv edhe në platformat sociale si Instagram dhe Facebook, ku ndan momente nga krijimtaria e tij artistike dhe jetesa muzikore./KultPlus.com