30 Dhjetor, 2024 - 4:00 pm
Ardianë Pajaziti
Është një prej figurave publike që nuk e ka ndryshuar shumë stilin e jetës. Vazhdon të mbajë edhe sot flokë të gjata sikurse në fillimet e karrierës së tij, sikurse që vazhdon të dëshmojë guximin për eksperimentimin e ngjyrave në veshje, njësoj si në vitet e 80-ta, qoftë në skenë apo edhe në rrugë.
Vazhdon të jetojë në shtëpinë e njëjtë ku ka jetuar edhe si fëmijë, edhe pse, sipas tij brenda shtëpisë kanë bërë shumë shpesh ndryshime, me qëllim të thyerjes së monotonisë. Ka po të njëjtin numër telefoni, nuk posedon makinë dhe udhëtimet me taksi i preferon në qetësi, pa asnjë vijë melodike. Sipas tij, si defekt profesional, muzikën edhe jashtë studios vazhdon ta dëgjojë në nota dhe ky defekt e bezdisë.
Është një prej burrave më urban që njeh komuniteti artistik, dhe mendësia e tij vazhdon të krijojë ‘trazira” edhe përkundër faktit që sot ka 58 vjet. Mendësia e tij arrin të trazojë edhe mendjet e moshave të reja, të cilët, shumë shpesh e kanë kundërshtuar por edhe e kanë përkrahur në rrjete sociale si një mendje që nuk përkon me kohën dhe mentalitetin e Kosovës.
Njësoj ishte edhe në vitet e 80-ta kur pat dalë në skenë, ku shumica e konsideronin me një dukje të ‘çmendur’, dhe jo vetëm atë por edhe motrën e tij Violetën. Dhe krejt këto lëvizje atij i duken më se normale, pasi që sipas tij, gjithçka kur ndodhë në mënyrë të sinqertë, vjen edhe natyrshëm, edhe pse për të tjerët ka ardhë në një mënyrë uragani.
“Takohemi në një lokal afër furrës “Qerimi” më thotë në telefon Armend Rexhepagiqi kur merremi vesh për intervistën e fundvitit për KultPlus, dhe orientimi nëpërmjet furrës “Qerimi” vazhdon të jetë një tregues se artisti Armend Rexhepagiqi është adhurues i mënyrës së vjetër të jetesës, edhe pse, tërë kohën ma vërteton se në këtë mënyrë jetese ka bërë përditësime të vazhdueshme.
Armend Rexhepagiqi që deri vonë është ndjerë në siklet nëse i është drejtuar dikush me epitetin artist, në vitet e hershme të karrierës së tij kishte publikuar shtatë albume, prej të cilave kishin dalë hite të shumta e vazhdojnë të dëgjohen edhe sot nga gjenerata të ndryshme. Dhe krejt ky sukses ndodhi shpejt dhe rrufeshëm për të kaluar më pastaj në një qetësi afatgjate.
Përderisa këngët e tij vazhdonin të dëgjoheshin në radio, televizione, lokale, në gara të ndryshme e në formate të shumta, ai i tha stop dinamikës së karrierës si solist. 15 vjet distancë nga skena, nga interpretimet, nga paraqitjet. Kjo është koha kur artisti krijonte për të tjerët por vetën e kishte mbyllur brenda shtëpisë. Dhe këtij akumulimi 15 vjeçar si duket i ka ardhë fundi, dhe po kërkon një shpërthim, shpërthim që të tjerët po e presin me shumë interes, për mos të thënë nën vëzhgimin e llupës.
Është luftë në mos shndërrimin e vetvetes në një karikaturë
“Të shkon epiteti ‘prishës’ i patriarkalizimit” i them qysh në fillim të intervistës, duke iu referuar edhe viteve të 80-ta, por edhe të zhurmës mediatike të këtij viti që po e lëm pas.
Qesh, por e kundërshton këtë epitet. Ai më thotë se çdo gjë që ka bërë, qysh në vitet e hershme të karrierës por edhe përgjatë gjithë jetës ka qenë vetëm uni i tij jo i sforcuar, edhe pse, sipas tij tejet i pavetëdijshëm për rrethin të cilin jeton.
“Nuk kam dëshirë të bartë barrën e epitetit se unë kam thyer tabu, dhe si për ironi edhe përkundër kësaj mos dëshire, ndonjëherë vazhdon të më ndodhë kjo. Unë kam qenë gjithmonë vetvetja, dhe për mua, kur je i tillë, natyral e i pashtirur, kjo është rruga më e mirë, edhe pse më e vështira. Kam tentuar ta zbus pak këtë qëndrim timin, sikurse edhe shprehjen artistike, por me kohë e kam kuptuar se pikërisht kjo e ‘cuditshmja’ është arma ime kryesore. Të jem besnik i vetvetes. Edhe pse kjo nuk është e lehtë. Është luftë në mos shndërrimin e vetvetes në një karikaturë. Është edhe më e vështirë të qëndrosh në të njëjtën linjë prej fillimit. Dhe krejt kjo nuk është një barrë për supet e mia, sepse guxoj të them se kam një mision që duhet ta dërgoj deri në fund”, thotë Rexhepagiqi.
Edhe pse shpesh herë i paragjykuar nga të tjerët, Armendi prapë hapë zemrën për vendin e tij, për rrethin që e shoqëron, dhe për dashurinë që merr prej të tjerëve.
“Kam një ndjenjë shumë të mirë për rrethin në të cilin jetoj, është shumë e çuditshme dhe paradoksale, edhe pse vazhdojmë të jemi si shteti më i varfër në Evropë, unë prap nuk e kam këtë ndjenjë. Sepse jam i rrethuar me njerëz të mirë, me njerëz që i respektoj dhe më respektojnë, që më duan. Mua më nevojitet pozitiviteti. Ndihem shumë mirë me energjinë që e marr nga rrethi” thotë Rexhepagiqi.
Të çuditshëm në këngë e edhe më të çuditshëm në veshje
Jeta e Armendit dhe Violetës (Violeta Rexhepagiqi) të ngjason si në një guacë, ku gjithçka zhvillohet ndryshe jashtë shtëpisë dhe rrethit të tyre. Dhe po këta protagonistë, mënyrën e jetesës së tyre e merrnin shumë të mirëqenë dhe me mendësinë se të gjithë e kuptojnë mënyrën e tyre të jetuarit. Duke ndjekë trendet e botës, duke përcjellë garat e patinazhit, duke shikuar shfaqje operistike e shumë aktivitete të tjera, të gjitha këto, herë nëpërmjet Radio Televizionit të Prishtinës e herë nëpërmjet antenave satelitore, ata nuk po vërenin se po bënin një kapërcim të madh për shoqërinë. Ata po shndërroheshin në një senzacion, po shndërroheshin në rebelë, dhe jo vetëm rebelë të skenës por edhe të përditshmërisë.
Me një baba akademik dhe një nënë mësuese të matematikës, si dy fëmijë artistë të kohës së atëhershme, Armendi atributet e sukseseve të fillimeve të tyre ia adreson motrës, Violetës. Ai shpjegon se në fillimet e tij ishte më i tërhequr dhe se motra e tij i krijonte kontaktet edhe për bendet, edhe regjistrimin e këngëve në RTP por edhe të paraqitjes skenike. Kurse sa i përket krijimeve, ai kujton se krijimet i bënin bashkë.
Të çuditshëm në këngë e edhe më të çuditshëm në veshje, Armendi ato kohë i kujton pa nostalgji të madhe.
“Edhe pse, tash kur shoh disa nga fotografitë, tmerrohem. Ka qenë një rrugë më se normale për një artist deri te krijimi i identitetit, duke përfshirë edhe dukjen”, shpjegon ai.
“Nuk na linte përshtypje reagimi i të tjerëve në rrugë, është njësoj sikurse sot komentimi në rrjete sociale. Aida ime kurrë nuk i lexon komentet, unë shpesh i lexoj. Më duket e rëndësishme çfarë impakti po lë”, shpjegon Armendi duke tërheqë një paralele mes viteve të hershme të karrierës dhe ditëve të sotme.
Edhe në komente pozitive vërehej paragjykimi
Me çmime në Akorde të Kosovës e me paraqitje të shumta për rrethanat, Armend Rexhepagiqi ishte edhe pjesëmarrës në Jugovizion, garë e njëjtë me Eurovizionin e tanishëm, por atëherë në këtë festival merrnin pjesë shtetet e rajonit, garë në të cilën u prezantua me këngën “Mami, mami” e që në këtë garë doli të renditet si kënga e gjashtë në finale.
Paraqitja e tyre kishte surprizuar edhe pjesëmarrësit e atij edicioni që ishte mbajt në Zarë të Kroacisë, në vitin 1990.
“Kanë qenë shumë të surprizuar dhe kemi marr shumë komente pozitive. Por edhe në komente pozitive vërehej paragjykimi. Sepse, me atë reagimin e parë ‘woow nuk po mund të besojmë se jeni nga Kosova’ e merrnim si kompliment, por pastaj e kuptoje që po nëpërmjet atij reagimi vërehej se ishim shumë të paragjykuar. E mbaj në mend edhe komentatorin e festivalit që e patëm dëgjuar në autobus, menjëherë pas provës gjenerale ku të gjithë pjesëmarrësit po ktheheshim për hotel. Në radio kënga “Mami, mami” komentohej si kënga surpirzë e festivalit dhe si këngë favorite për fitore. Megjithatë ne nuk e zumë vendin e parë por u renditëm në vendin e gjashtë” rrëfen Armendi i cili shpjegon më tutje se për këtë paraqitje kanë pas një përgatitje shumë profesionale, një muaj prova të ushtrimit të zërit në Radio Prishtinë, pastaj angazhimi i jashtëzakonshëm i Aida Barakut dhe Xheraldina Pufjës për realizimin e kostumeve.
Nga kjo paraqitje në Zarë të Kroacisë, Armendi dhe Aida kanë kujtimin më të bukur, pasi që këngën “Mami, mami” po nga ky festival e kanë të regjistruar në një pllakë gramafoni, pllakë që e vlerësojnë si një prej kujtimeve më të mira të karrierës së tyre.
Po nëse është pikërisht kënga “Mami, mami” projekti që edhe i ka dhënë vulën e besimit për karrierën në muzikë, Armendi më thotë se është hera e parë që dikush i parashtron këtë pyetje, dhe në fakt, sipas tij, kur e mendon, po, pikërisht është kjo kënga kur edhe u ka dhënë besimin e skenës.
“Në një mënyrë po, se sikur të lëndohesha me atë paraqitje do të kishte pas një impakt tjetër në karrierën time. Dhe e konsideroj si një nga gurët më të rëndësishëm në karrierën time, jo në aspektin muzikor, edhe pse ka disa elemente të asaj kënge që i dua edhe sot, por më shumë në aspektin e përgatitjes për atë festival, që sot kur e mendojmë, sa shumë patëm punuar për atë paraqitje”, vazhdon rrëfimin Armend Rexhepagiqi.
Dolën në skenë kur shumica dëgjonte muzikë popullore, në një kohë kur dëgjoheshin tingujt e çiftelisë, gajdes e tupanëve
Po krejt në rrugëtimin artistik, Armendi dhe Aida e kanë pas të shtrirë në disa dimensione, e që i kanë shqyrtuar me shumë kujdes. Pa një tekst të mirë, pa një kompozim e orkestrim të mirë, dhe pa një paraqitje super skenike nuk e kanë menduar paraqitjen në festivale, e që këtë të fundit, Armendi e vlerëson edhe sot, sepse, sipas tij paraqitja skenike e ka fuqinë më të madhe, dhe ndonjëherë e mbulon edhe ndonjë defekt të vogël të elementeve të tjera të këngës.
Pikërisht te ky fakt, ai kujton pjesëmarrjen në festivalin “Kënga Magjike” ku edhe është prezantuar me këngën “Kur dashuria vdes” e që sipas tij, edhe pse i kanë provuar tri orkestrime, nuk ka qenë në pritjet e tyre.
“Çfarë vendosëm ne, që të bëjmë një paraqitje skenike me shumë pasion, dhe me të vërtetë ka qenë investim me shumë përkushtim, duke përfshirë edhe atë materiale. Dhe aty e kam kuptuar forcën e prezantimit skenik, dhe se ka rol shumë të madh edhe atëherë kur kënga nuk është në pritjet e tua. Edhe sot habitem se si disa këngëtarë nuk e kuptojnë rëndësinë e paraqitjes skenike, gjithçka ka rëndësinë e saj”, zbulon Armendi detaje nga fshehtësitë e skenës, po të asaj skene që kishte nxjerrë këtë artist në një kohë kur artistët më të mëdhenj ishin nga muzika popullore, me dominim nga Shkurte Fejza, Haxhi Maqellara, Shyhrete Behluli e artistë të tjerë të këtij zhanri, e pikërisht në këtë vrull të këtij zhanri muzikor, paralel me tingujt e çiftelisë, tupanëve e gajdeve, merr guximin një djalë nga Prishtina që ti sfidojë me një muzikë krejt ndryshe, dhe me një dukje edhe më ndryshe.
Dhe, sikurse që nuk e ka dëgjuar muzikën popullore, muzikë që nuk e kishte dëgjuar asnjëherë, as në shtëpi, as muzika klasike nuk ia mori plotësisht zemrën. Edhe pse kishte ndjekë shkollën e muzikës. Ai ishte i destinuar për muzikën pop, dhe kishte vendosë që po këtë rrugë ta ndiqte, edhe pse ishte i vetëdijshëm që nuk ishte duke jetuar në Londër, po në mes të Prishtinës, dhe masa vazhdonte të ishte adhuruese e muzikës popullore.
“Unë nuk kam qenë duke jetuar në Londër, dhe kam qenë shumë i vetëdijshëm që masa dëgjon muzikë popullore, por unë pata vendosë që të realizoj atë çfarë kam ndjerë. Dhe ky vendim që artisti ti mbetet besnik vetvetes është shumë i vlefshëm dhe i shtrenjtë”, tregon për kriteret e tij në muzikë, dhe habitet me disa këngëtarë që vetëm me kushtin që të mbeten në treg, pranojnë lloj-lloj kompromisi, realizojnë bashkëpunime me këngëtarë problematik vetëm që të arrijnë qëllimet, dhe pas disa muajve i shohin pasojat.
“Nuk e kuptojnë se ku është kufiri, po humbin shumë nga kredibiliteti artistik. Pastaj po të njëjtit pyesin se pse këngët e mia zgjasin aq shumë. Dhe po, kam përgjigjen, sepse janë këngë që mendohen gjatë, punohen gjatë dhe punohen pastër” vazhdon Armend Rexhepagiqi.
Selektiv në këngë, selektiv edhe në jetë
Ai vazhdon të jetë edhe më tutje një këngëtar selektiv, jo vetëm për këngët e tij, por edhe me këngët që i punon për të tjerët, sepse vetëm me këtë kujdes sipas tij mbetesh gjatë në mendjen e adhuruesve, gjithnjë duke iu referuar edhe këngëve të tij, që edhe pse me një heshtje 15 vjeçare, mbi dhjetë këngë të tij janë shndërruar në hite dhe vazhdojnë të dëgjohen edhe sot.
Por jo selektiv vetëm me muzikën, ai është selektiv edhe në jetën private. Vazhdon të mbetet një njeri që nuk është i masës, selektiv në lokalët që i frekuenton, sikurse edhe me njerëzit që bashkëpunon.
“Unë jam unë, jetoj jetën time, jam imun ndaj pasurisë materiale, më e rëndësishme është paqja ime, rehatia ime, mundësia për krijimet e mia” shprehet Rexhepagiqi i cili është edhe kundër epiteteve të elitarizimit, sikurse që është edhe për ndërlidhjen e punës artistike me atë komerciale. “Vetëm me një kusht, që komercializimi të jetë konform punës”, vazhdon ai.
Por jo gjithmonë kanë të drejtë artistët, as Armendi. Ai kujton paraqitjen e fundit në Festivalin e Gastronomisë në Prishtinë, dhe insistimin e tij që mos ta fuste në repertorin e asaj mbrëmje këngën “Harrova”, sepse, sipas tij nuk i shkonte kjo këngë asaj mbrëmje.
“E mendoja se ishte një mbrëmje me një audiencë familjare, ku konsumohej ushqim dhe se një këngë e tillë nuk i shkonte atij formati. Por me insistimin e bendit, më bindën që ta këndoj edhe atë këngë. Po pikërisht ajo këngë ishte kënga kulminante e mbrëmjes, dhe ishte një dëshmi se edhe artisti shpesh gabon, dhe se duhet të dëgjojmë edhe të tjerët”.
“Harrova” është një prej këngëve më të adhuruara nga publiku dhe është vulë e suksesit të një projekti të mirë edhe nëse nuk investon shumë në të, sa i përket promocionit. Armend Rexhepagiqi vërteton se kjo është kënga që nuk ka pas asnjëherë videoklip, nuk është kënduar në asnjë festival, dhe sipas tij nuk i kujtohet nëse është kënduar edhe në televizion, dhe megjithatë, po ajo këngë ka gjete rrugën e saj deri te publiku e që vazhdon të jetë ndoshta himni i krijimtarisë së Rexhepagiqit.
“Harrova”, “Ti nuk më meriton”, Dashurinë ku e kam”, “Shko”, “Shkel”, “Edhe një herë” , “Me kilometra”…, janë disa prej këngëve hite të artistit Rexhepagiq, e që për krijimtarinë e tij janë interesuar edhe produksione të huaja, por që Armendi ka refuzuar që këngët e tij në gjuhën shqipe ti ofrojë edhe për tregun ndërkombëtar.
Kam një bindje që mund edhe ta nënshkruaj, “KultPlus” është një medie që për vite po kujdeset që ti ruaj gjërat të cilat janë perla të vogla të trashëgimisë sonë moderne kulturore
“Kam pas ftesë nga Kroacia për dhënien e këngëve të mia, kam pas ftesë nga MTV që këngën Bileta ta ofrojë edhe në botë, sikurse që kam pas ftesë edhe nga një këngëtare turke, super të njohur dhe nuk i jam përgjigje. Gjithnjë kam menduar se unë punoj për botën shqiptare, unë punoj në shqip dhe duhet të mbesin në gjuhën shqipe. Tash pak jam penduar që nuk e kam bërë këtë, hahahaha” thotë Rexhepagiqi duke qeshur.
Ndërkohë, përderisa është penduar për mos bashkëpunimin ndërkombëtar, ai nuk është penduar asnjëherë se pse nuk e ka lëshuar Kosovën, dhe asnjëherë nuk e ka pas si opsion, as ai e as bashkëshortja e tij Aida.
Të vetmen periudhë kur janë larguar nga Kosova ishte periudha e luftës, dhe menjëherë pas përfundimit të luftës, ishin një ndër të parët që kishin kërkuar kthimin e tyre nga Franca.
“Dashuria për vendin më ka bërë të mendoj edhe për bagazhin artistik që lë pas vetes. Ëndërroj që po në këtë vend, pas një periudhe kur nuk do të jem më, ndoshta mund të krijohet një Muze i Artit Modern, në të cilin ndoshta mund të zënë vend disa nga veprat e mia. Kjo më duket ajo trashëgimia ime shumë e rëndësishme, sepse shume shpesh te ne nuk e kuptojnë konceptin e trashëgimisë. Dhe arsyeja që e dhashë këtë intervistë për gazetën e juaj “KultPlus” është po me këtë arsye. Se kam një bindje që për të cilën mund edhe ta nënshkruaj, se jeni një medie që për vite po kujdeseni që nëpërmjet fuqisë suaj ti ruani gjërat që cilat janë perla të vogla të trashëgimisë sonë moderne kulturore. Ky është caku im i fshehtë i imi që unë punoj, me të cilën jetoj, tejkaloj shumë kriza, dhe është një prej arsyeve si mund të mbetet njeriu besnik vetës ”, ka thënë ai.
Armend Rexhepagiqi po riktheheht furishëm, do të sjell album, videoklipe e ture të koncerteve
Dhe ndërkohë, kur vijmë te pjesa e rikthimit të Armend Rexhepagiqit në skenë, duket se lëvizë edhe njëherë në karrige për të dëshmuar gatishmërinë e tij në skenën e munguar për 15 vjet me radhë. Ai paralajmëron një rikthim të planifikuar me detaje, me këngë të reja të sjell në një album, këngë të shoqëruara edhe me videoklipe, album që do të pasohet me koncerte, e që do të ketë një ekip punues duke përfshirë edhe ato të rrjeteve sociale. Por e veçanta e këtij albumi është se do të ketë risi. Ne jemi mësuar ta dëgjojmë Armendin e baladave, dhe kësaj radhe ai paralajmëron një ritëm më të shpejtuar.
“Tani, pas shumë viteve jam plotësisht i lirë të punoj vetëm për vete, sepse tani për tani i kam përfunduar punët për të tjerët”, shpjegon Armendi, i cili për fatin e tij të mirë përgjatë karrierës së tij ka qenë i shoqëruar nga dy gra që e kanë mbështetë fuqishëm, në rininë e tij e motra, Violeta, e tash e 40 vjet bashkëshortja e tij Aida Baraku, që edhe për këtë album ka shkruar tekstet e këngëve, dhe jo vetëm. Dhe të bukurën e këtij albumi ai e adreson pikërisht të tekstet.
“Nëse për asgjë, do të ishte mëkat që këto tekste mos të dalin edhe në këngë. Tash sfida është që të bëjmë balancin e muzikës me vlerat e teksteve”, thotë Armendi.
“Krejt ky album po vjen si reagim ndaj dashurisë së njerëzve që më kanë dhënë për këto vite, edhe përkundër tërheqjes sime si solist. Është edhe një përmbushje e imja shpirtërore, por edhe një mbështetje e madhe e Aidës që shumë shpesh më ka thënë se si nuk më vjen keq prej adhuruesve”, thotë Armendi.
Ai këtë rikthim po e vlerëson si momentin më adekuat, duke iu referuar edhe pjekurisë artistike, dhe se sipas tij, është momenti i jetës së tij kur edhe mund ti këndojë në mënyrën sikurse edhe e ka ëndërruar, live.
Ai edhe njëherë e argumenton se nëpërmjet këtij albumi po vjen po me të njëjta kritere, atë të vlerave, pasi që sipas tij, ai është aq i pjekur artistikisht që ta dijë se edhe si mund ta shndërrojë një album viral, por që nuk është në kërkim të virales, por në kërkim të përmbushjes shpirtërore.
Edhe pse e vërteton se në këtë album do të ketë edhe disa duete, ai për asnjë moment nuk deshi të zbulojë emrat e artistëve që do të marrin pjesë në këtë album, sikurse që nuk ka paralajmëruar datë se kur mund të publikohet albumi, përpos asaj se është duke punuar shumë që sa më shpejt të publikohet.
Dhe, përderisa po rikthehet artisti që e adhurojnë të rinj e të vjetër, është i gatshëm edhe për një sfidë. Ai do të synojë përfaqësimin e Kosovës në Eurosong, qoftë si kompozitor apo si solist, në një kohë kur edhe Kosova do të merr të drejtat për pjesëmarrje.
Ndërkohë, se a do të duhet presim gjatë për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurosong, Armend Rexhepagiqi duke qesh na thotë se ai është i ri, dhe se ka kohë dhe durim për të pritur…. / KultPlus.com