10 Maj, 2022 - 8:00 pm
Ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon, grupi Kalush Orchestra do të performojë sonte në skenën e Eurovizionit.
Menjëherë pas sulmeve ruse, Ukraina njoftoi se burrat midis moshës 18 dhe 60 vjeç nuk do lejoheshin të largoheshin nga vendi, me shpresën se, ata mund të thirreshin për të luftuar kundër pushtimit.
Grupi i përbërë nga meshkuj, duhej të merrte leje speciale për t’u larguar nga Ukraina, për të konkurruar në Eurovizion.
Kënga e tyre, “Stefania” do të këndohet në gjuhën ukrainase.
“Unë gjithmonë do ta gjej rrugën time për në shtëpi, edhe nëse të gjitha rrugët janë shkatërruar”, thuhet në tekstin e këngës.
Formati i konkursit i jep Ukrainës një shans të madh për të fituar.
Fituesi zgjidhet me votim, ku gjysma e votave vjen nga publiku nëpërmjet televotimit dhe gjysma tjetër nga juritë e industrisë së muzikës dhe argëtimit.
Duke pasur parasysh fokusin në ngjarjet në Ukrainë, pritet që Kalush Orchestra të marrë shumë vota nga publiku.
Kujtojmë se, Rusia u përjashtua nga konkursi i këtij viti pas presionit nga vendet e tjera anëtare. /Liberale.al/ KultPlus.com