20 Dhjetor, 2024 - 7:40 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë, në atmosferën e ngrohtë dhe solemne të katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, sopranoja Arta Jashari mbajti koncert recital. Ky koncert erdhi si një gërshetim i muzikës kishtare dhe klasike si një nismë që shënon fillimin e festive të fundvitit, shkruan KultPlus.
Shoqëruar nga pianisti Andi Duraku dhe trumpetisti Avni Krasniqi, Arta jashari filloi koncertin me një interpretim të veçantë të këngës tradicionale të Krishtlindjeve ‘Adeste Fideles’ të John Francis Wade, performancë kjo që dhuroi për publikun një ndjenjë të thellë spiritualiteti dhe bukurie.
Pas kësaj, programi u pasua me një koleksion të pasur veprash klasike që përcollën ndjesi të ndryshme artistike. “Laudamus” dhe “Alleluia” nga Wolfgang Amadeus Mozart, me ekspresivitetin e jashtëzakonshëm të interpretimit të Jasharit, sollën një dritë të re në audiencë, duke i dhënë shpirt një muzike kishtare, por edhe një freski moderne në interpretim.
Më pas, koncerti vijoi me veprat “Let the Bright Seraphim” të George Frideric Handel, një pasazh melodik dhe virtuoz që e solli audiencën më pranë fuqisë dhe elegancës së muzikës barok. Mbrëmja vazhdoi me veprat “Tis the Last Rose of Summer”, “Nuit d’étoiles” të Claude Debussy dhe “Cantique” nga Nadia Boulanger.
Ndërkaq, e gjithë kjo mbrëmje magjike u përmbyll me këngën ikonike të krishtlindjeve, “Have Yourself a Merry Little Christmas”.
Pas koncertit, sopranoja Arta Jashari tha për KultPlus se ndjehet e lumtur që të gjithë punën e saj e ka përmbyllur këtë vit me këtë koncert recital.
“Jam shumë e lumtur që pas gjithë asaj pune, çdo gjë është përmbyllur me sukses sonte. Unë jam e befasuar që kam pasur kaq shumë njerëz rreth vetes që kanë qenë të gatshëm deri në këtë masë të më ndihmojnë për ta arritur këtë koncert në këtë mënyrë tëv dinjitetshme”, u shpreh Jashari.
“Jam munduar të përzgjedhi vepra të të gjitha epokave, duke nisur nga barokut e deri te Christmas Carols, sepse mendova se me këtë të fundit ja japim edhe një ndjenjë të krishtlindjeve”, tha ndër të tjerash Arta Jashari duke folur për repertorin.
Ju kujtojmë se në këtë koncert, Arta Jashari së bashku me Andi Durakun dhe Avni Krasniqin, krijuan një magji muzikore që ka një ndikim të fortë në shpirtin e secilit që ishte i pranishëm./KultPlus.com