27 Shtator, 2023 - 1:00 pm
Pas fazës së parë të programit ndër-ministror “Arti në shkolla” që mblodhi qindra nxënës të Komunës së Gjilanit në shumë aktivitete edukative e artistike, faza e dytë po hapet me një koncert të veçantë në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Filharmonia e Kosovës, nesër duke filluar nga ora 14:00 do të prezantojë koncertin e parë që iu dedikohet nxënësve të klasave të 6-ta nga katër shkolla të Komunës së Prishtinës, SHFMU “Elena Gjika”, SHFMU “Faik Konica”, SHFMU “Ali Kelmendi” dhe SHFMU “Shkëndija”.
Nesër nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin një program i cili prezanton disa etapa të zhvillimit të muzikës klasike në Kosovë, nën dirigjimin e mjeshtrit Gridi Kraja.
Veprat të cilat do të prezantohen nga Filharmonia e Kosovës me dirigjentin Kraja janë nga Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, e deri te Valton Beqiri. / KultPlus.com