Artistë nga Kanadaja dhe Zvicra i dhuruan një natë përplot magji Prishtinës (FOTO)

23 Mars, 2018 - 2:35 pm

Javët e Frankofonisë që po vazhdojnë të mbahen këtë muaj në Kosovë, po i sjellin publikut kosovar shumë nga kultura e pasur e gjuhës frënge. Një mbrëmje për t’u mos u harruar, ishte ajo mbrëmë në Hamam Bar, ku dritat e zbehta të këtij ambienti, të përqendronin më shumë tek interpretimi i këngëtarëve që kishin ardhur nga Kanadaja dhe Zvicra.

Gili Hoxhaj

Joseph Edgar Trio ishte grupi që për më shumë se një orë e mbajti publikun në vallëzim të lehtë. Zëri i veçantë i Joseph Edgar që i këndoi mbrëmë publikut në Prishtinë, kishte dhënë mjaft shumë koncerte në vende të ndryshme të botës. Para se ata të fillojnë këngët e tyre, në skenë të pranishmit i përshëndeti ambasadori i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, Daniel Maksymiuk, ku ai në fjalën e tij tha se Kosova gjithnjë do ta ketë mbështetjen e Kanadasë.

“Rëndësia e të qenit këtu sonte është sepse Kanada e mbështet Kosovën si një anëtare e komunitetit ndërkombëtar dhe Kosova tashmë është anëtare e Frankofonisë, dhe këtë muaj ne jemi duke e festuar Frankofoninë dhe që është arsyeja që Kanadaja ka vendosur që me miqtë tanë në Ambasadën e Zvicrës të sjellim grupin francez të Kanadasë në Prishtinë”, ishin fjalët e ambasadorit Maksymiuk, të cilat ngjallën shumë duartrokitje tek publiku.

“Ky grup ka kaluar në shumë vështirësi që të vijnë në Prishtinë dhe kjo është edhe një arsye më shumë që të ju dhurojnë një mbrëmje të veçante sonte”, u shpreh ambasadori Maksymiuk, i cili ia la fjalën grupit që të shpjegojë për rrugëtimin e tyre në Kosovë dhe vështirësitë e tyre, pasi që njëri anëtar i bendit kishte harruar pasaportën.

Kosova dhe Kanadaja pikërisht këtë muaj shënojnë dhjetë vite të relacioneve diplomatike që nga njohja e Pavarësisë së shtetit të Kosovës nga Kroacia (më 18 mars të vitit 2008). Ambadadori Maksymiuk në një intervistë të shkurtër për KultPlus kujton rrugëtimin e Kosovës edhe para dy dekadash.
“Njëzetë vite me parë situata ishte e tillë që populli i Kosovës ishte nën kërcenim dhe populli kanadez ishte njëri nga ata që iu përgjigj këtij kërcënimi për ta mbrojtur popullin e Kosovës. Jam krenar që kemi qenë pjesë e këtij operacioni që ishte fillimi i një Kosove të pavarur”, tregoi Maksymiuk.
Ai tutje shtoi se në këtë javë kanë dashur që të organizojnë diçka tëveçantë në Kosovë andaj edhe kanë sjellë grupin rok and roll, të cilët këndojnë në frëngjisht, kjo edhe për të dëshmuar që Kanadaja është një shoqëri e hapur ndaj diversitetit.

“Unë besoj që edhe Kosova është një shoqëri e njëjtë dhe nuk ka rëndësi përkatësia fetare, një qytetar i Kosovës është një qytetar i Kosovës. Për të dëshmuar që Kosova dhe Kanadaja janë partner të Frankofonisë, ne edhe kemi zgjedhur grupin francezo-kanadez që të këndojnë sonte këtu”, tha tutje ambasadori Maksymiuk.

Përvec vallëzimit në cdo këngë të grupit që performuan mbrëmë, ambasador Masymiuk këtë natë e bëri edhe më të vecantë, e që u konsiderua si befasi për të pranishmit. Ai mori kitarën dhe iu bashkua grupit duke bërë publikun që të këndojë bashkë me ta.
Joseph Edgarkëndoi mbrëmë me mjaft emocione që dëshmonin se po e shijonte praninë e publikut kosovar. Një nga këngët e tij më të dëgjuara është “Espionnerusse” që ka mbledhur mbi 3 miliardë klikime në You Tube. Joseph Edgar tregoi se kishte dëgjuar edhe më parë për Kosovën, posaçërisht gjatë viteve të 90’ta, ndërsa tha se ardhja këtu është një bekim për të, që të shoh gjërat që kanë ndodhur jo shumë kohë më parë.

“Ne fillimisht ishim në Kroaci dhe fillimisht ardhja këtu ishte e pabesueshme por është një bekim, unë jam me fat që kam ardhur në këtë vend ku do të mund të vija edhe si turist, por të vij këtu dhe të këndoj këngët e mija është një gjë shumë e mirë që më ka ndodhur mua”, tha këngëtari Edgar për KultPlus.
Ai për KultPlus tha se bota ka nevojë për më shumë shkëmbime të tilla dhe nuk është gjithnjë e nevojshme të kuptohen fjalët e këngës, sepse muzika mund të dhurojë emocione dhe të përjetohet edhe pa e kuptuar.
“Njerëzit shkëmbejnë shumë në aspektin ekonomik dhe politik, por nëse njerëzit të shkëmbenin më shumë art dhe kulturë, njerëzit do të ndjenin më shumë dashuri dhe paqe, më pak konflikt dhe luftë”, u shpreh ai.

Pas grupit francezo-kanadez në skenë erdhi grupi zviceran nga Gjeneva. Përmes këngëve ata prekin temat e shoqërisë e përcjellin mesazhe unifikuese. Pas interpretimit të grupit nga Kanadaja, të pranishmit vallëzuan ritmin e vallëzimit me këtë grup.
Anita Schluechter nga Ambasada Zvicerane tha se ky koncert është shumë i rendësishem për shkak të lidhjeve te ngushta mes Kosovës dhe Zvicres, ndëra përmes këtyre aktiviteteve mund t’i sjellim më afër edhe lidhjet kulturore.

“Ne kemi lidhje ekonomike, politike ne kemi lidhje të ndryshme mes vete, duke përfshirë edhe lidhjet e shumta familjare prandaj është e rëndësishme që të jemi më afër edhe në aspektin kulturor. Është shumë e rëndësishme për artistët zviceran që të vijnë këtu në Kosovë”, u shpreh për KultPlus, Anita Schluechter.
“Javët e Frankofonisë” po vazhdojnë aktivitetet e tyre të shumta krahas Prishtinës edhe në qytete të tjera të Kosovës. Ky edicion do të zgjas deri në fund të këtij muaji./ KultPlus.com

Të ngjajshme