Artistët nga Shqipëria sollën gërshetim të mahnitshëm muzikor në Chopin Piano Fest (FOTO)

18 Prill, 2018 - 12:17 pm

Gili Hoxhaj

Para objektit ku po mbahet tash e disa net “Chopin Piano Fest Prishtina”, vizitorët e shohin të shkruar pikërisht emrin e këtij festivali, dritat e kuqe pranë hyrjes veçse janë një ftesë më shumë për të hyrë në një festival ku interpretuesit e veprat janë të zgjedhura. Ky festival që është bërë pikëtakim i dëgjuesve me interpretues të huaj e vendor po e vazhdon traditën tashmë në edicionin e 9-të të tij.

Pas emrave të njohur vendor e interpretuesish nga vende si Portugalia, Franca, Austria, Kroacia, Maqedonia, mbrëmë ky festival solli dy instrumentistë nga Shqipëria. Për ata që janë adhurues të muzikës klasike dhe e ndjekin atë, këta dy emra nuk janë të panjohur për shkak që aktiviteti i tyre është i shtrirë në rajon e më gjerë. Ata kanë interpretuar edhe në shumë vende të botës. Klaidi Sahatçi në violinë e Merita Rexha Tërshana në piano u sollën një lojë bindëse publikut prishtinas.

Veprat që ata kishin zgjedhur tregonin për përkushtimin e tyre për t’i dhuruar më të mirën nga loja publikut të Kosovës. Vepra e tyre e parë mbrëmë erdhi si një rrugëtim nga i cili publiku nuk do ndahej lehtë. Ata interpretuan Sonatën nr. 9 op.47 të Bethoovenit, e njohur ndryshe edhe si “Sonata Kreutzer”. Këtë vepër kompozitori i njohur Bethooven ia kishte dedikuar violinistit George Bridgetower, me të cilin e solli edhe premierë në orët e hershme të ditës së 24 majit të vitit 1803 në Augarten Theatre. Pas një zënke me Bridgetower, pas performances Bethooveni kishte vendosur t’ia dedikoi një violinisti tjetër që quhet Rodolphe Kreutzer.

Vepra si e tillë ishte një përzierje emocionale sa që tingujt vijnë në trajta më ndryshe, herë më të qetë e herë më të fuqishëm, e që kombinimi i lojës së këtyre dy interpretuesve arrinte t’i përmbushte kërkesat e kësaj vepre. Pas kësaj, ata të dy sollën një sonatë tjetër nga kompozitori César Franck. (Sonata A-dur) për piano dhe violinë, është vepër të cilën kompozitori e kishte shkruar në moshën 63 vjeçare, në vitin 1886 si dhuratë e martesës për violinistin belg, Eugène Ysaÿe. Kjo vepër kërkon tejet përkushtim, e bagazh interpretues andaj dhe rëndom është luajtur nga pianist e violinist të njohur. Krejt në fund dyshja nga Shqipëria sollën veprën (Nocturno Posthumous Cis-mol) të kompozitorit më virtuoz në histori, Frédéric Chopin. Me këtë vepër si përfundim i koncertit, ata u kthyen për të dytën herë në skenë nga duartrokitjet e publikut, një pjesë e të cilëve edhe u ngrit në këmbë.

Të dy instrumentistët nga Shqipëria edhe nga eksperienca e tyre e shpeshte e interpretimit së bashku, dëshmonin një komunikim e harmoni të interpretimit, që dhuronte një gërshetim të rrallë artistik mes dy instrumentesh. Shpesh tingujt e violinës zgjateshin, e të pianos rëndoheshin por edhe në disa raste tingujt e instrumenteve vinin të ndarë nga njëra-tjetra, duke lënë publikun të shijoi lojën e vetëm njërit nga interpretuesit, për ta bërë më pas bashkimin e tingujve edhe më të bukur. Kur instrumentistit arrinin notën e fundit, duart e tyre shkëputeshin me ngadalësi nga instrumenti, duke i dhënë publikut edhe në momente të fundit një ndjesi artistike. Merita Rexha Tërshana është një nga pianistet më aktive në skenën muzikore shqiptare. Ajo tregoi për KultPlus se fakti që Festivali Chopin Piano Fest e ka në qendër të tij pianon, ajo e kishte pranuar më shumë kënaqësi ftesën e këtij festivali.

“Chopini është një nga kompozitorët e mi të preferuar, ashtu si për shumë pianist andaj është shumë kënaqësi që erdha këtu. Dy sonatat që interpretuam janë dy sonata impenjative dhe më të interpretuarat sa i përket këtij formati dhe fakti që janë aq të njohura gjithnjë përpiqesh t’i bësh gjërat më ndryshe nga ajo që janë mësuar ta dëgjojnë publiku”, u shpreh pianistja Merita e cila tha se ndihet e kënaqur me rezultatin pasi që edhe dhanë dhe morën emocione për publikun.

Klaidi Sahatçi përveç interpretimit e tingujve të plotë, u prezantua edhe me një lojë elegante e me muzikalitet tejet të theksuar. I vendosur në këmbë pranë pianistes, përveç duarve, ai shpesh lëvizte dhe këmbët duke bërë hapa mbrapa e përkulje të lehta. Sahatçi tregoi se u ndje shumë mirë me praninë e publikut të Prishtinës, për të cilin tha se ishte shumë i vëmendshëm gjatë koncertit dhe tek ata ndihet dhe pozitiviteti me të cilin vjen në koncert, e që atyre si artistë u ka dhënë frymëzim që të japin maksimumin.

“Vepra e Chopinit ishte një homazh për Festivalin dhe është një melodi shumë e bukur dhe funksionon mirë edhe me violinën pasi që i jep diçka edhe më ndryshe nga pianio, kurse veprat e tjera mendoj se janë më të rëndësishmet sa i përket reportorit violinistik dhe pianistik dhe për këtë doja që t’i prezantoja publikut të Prishtinës vepra më me peshë, ndërsa edhe këto dy vepra ishin edhe emocionalisht shumë të forta” tregoi violinisti Klaidi Sahatçi.

Chopin Piano Fest në mbrëmjen e radhës sjellë “Podium artistik”, me studentët e Pianos, në Fakultetin e Arteve të UP-së. Mbrëmja mbahet të enjten dhe fillon nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare./ KultPlus.com

Të ngjajshme