Artistet shqiptare – hovi i madh për të shënuar suksese të njëpasnjëshme përgjatë vitit 2022

31 Dhjetor, 2022 - 11:00 am

Dua Lipa

Artistja shqiptare Dua Lipa, më 4 janar zuri vendin e parë në platformën ‘iTunes’ në Amerikë, për herë të parë. Sukseset e saja të vazhdueshme nuk munguan. Ajo shënoi edhe një sukses të jashtëzakonshëm në platformën ‘Spotify’ përgjatë vitit 2022, duke tejkaluar Rihanën, e duke u bërë artistja e katërt më e dëgjuara. E pandalshme si gjithmonë, ajo u shfaq edhe në kopertinën e revistës ‘Wall Street Journal’.

Asnjëherë nuk e mohoi identitetin e saj, dhe këtë e shprehi edhe publikisht më 26 janar të vitit 2022, duke thënë se ajo i di jetët e humbura në Kosovë. E inkurajuar nga një mësuese në Kosovë, Dua Lipa arriti majat e suksesit. Më 8 shkurt fitoi çmimin si artistja më e mirë pop/rb, duke lënë pas këngëtarët e njohur si Adele dhe Ed Sheeran. Ndërsa, më 9 shkurt filloi turneun e saj në 28 vende të ndryshme, një turne që nxori në pah anët e saj më të bukura.

Po ashtu, ajo u bë edhe artistja e parë që ka gjashtë këngë me mbi 1 miliard transmetime, teksa pati edhe një rol të rëndësishëm në filmin ‘Argylle’ për të shënuar kështu ndoshta dhe një karrierë në aktrim, pasi që ka marr edhe një rol tjetër në filmin ‘Barbie’. Më 11 mars, publikoi këngën e shumëpritur në bashkëpunim me Megan Thee Stallion, “Sweetest Pie”, që mori vëmendjen e të gjithë artdashësve.

Ndërkohë, më 22 mars ajo mori pjesë në festivalin e njohur ‘Lollapalooza’ në mesin e artistëve si: J.Cole, Metallica e Green Day. U shpërblye gjithashtu me dy çmime në “iHeart Radio Music Awards 2022”. Ndërkaq, përkrah Megan Stallion, bëri paraqitjen e saj në rolin e prezantueses në çmimet Grammy. Por, çmime të rëndësishme mori edhe në “Billboard Music Awards 2022”, aty ku dhe u nominua fillimisht për nëntë çmime.

Më 27 maj, publikoi këngën “Potion” në bashkëpunim me Calvin Harris dhe Young Thug, që patjetër që shënoi sukses më vete. Ndërsa, kur ndalemi tek moda, atëherë Lipa dhe sukseset e saj njashtu janë të njëjta, me ç’rast ajo kryesoi samitin e “Vogue Magazine”, si dhe u shfaq në sfilatën “Balenciaga Couture”.

Më 5 gusht 2022, u nderua me titullin ‘Ambasadore Nderi e Republikës së Kosovës’ nga presidentja Vjosa Osmani. Ndërsa, në anën tjetër, pranoi Pullën Postare me figurën e saj, ku u shpreh se ajo do të vazhdojë të bëj akoma më shumë, asisoj që Kosova të ngritët sa më shumë të jetë e mundshme.

Por magjia që ajo sjell në Kosovë, natyrisht që vjen nëpërmjet festivalit “Sunny Hill” që shënoi sukses tejet të lartë në këtë vit. Performanca e saj, qe një nga më të paharrueshmet ndonjëherë.

Por rikthehemi edhe tek skenat ndërkombëtare, duke mos lënë anash suksesin e saj në Argjentinë, aty ku mblodhi mbi 100 mijë njerëz. Më 30 shtator 2022, ajo u bë gruaja e parë që arrin 10 miliardë në platformën ‘Spotify’, duke arritur një rekord historik. Ndërsa, një bashkëpunim tjetër në fushën e muzikës, i solli asaj momente unike, me ç’rast edhe u shpërblye për bashkëpunimin më të mirë me Elton John, në “American Music Awards”, ndërsa ajo përkrah tij, fiton edhe çmimin “Hitmaker of The Year”.

Më 27 nëntor, merr nënshtetësinë shqiptare në Shqipëri dhe për këtë ajo shprehet të jetë tej mase krenare. Gjithashtu, koncerti që mbajti në Tiranë, për ditën e Pavarësisë, qe shfaqja solo më e madhe ndonjëherë në jetën e saj.

Së fundmi, ajo shpërblehet me çmimin “Koleksioni i Vitit” për koleksionin e saj që mban emrin shqip “Flutur”.

Rita Ora

Artistja tjetër shqiptare, u rikthye sivjet fuqishëm në jurinë e “The Voice of Australia”, aty ky dhe njihet për mjeshtërinë e saj të vokalit. Ndërsa, stili i saj qe gjithmonë i atillë që të tërheq pas vete, dhe për këtë kanë shkruar shumë magazina e medie ndërkombëtare. Shfaqet në kopertinën e “Vogue Arabia”, “Harper’s Bazaar Australia”, duke dëshmuar se mbetet top edhe në fushën e modës.

Në anën tjetër, Orën e shohim edhe pjesë të serialit të animuar “Kung fu Panda” si dhe “Tin Soldier”, duke goditur edhe me artin e saj të degës së aktrimit. Më 23 qershor publikon këngën e re, “Barricades”, këngë kjo që shënon sukses tejet të madh në fushën e muzikës. Ndërsa, në dy platforma, ajo arrin shifrën e 10 miliardë dëgjuesve, duke shënuar kështu një sukses madhështor për të.

Më 5 shtator, ajo dekorohet me titullin “Naim Frashëri”, pikërisht në Shqipëri, vendi i cili e priti me duar hapur artisten shqiptare. Mijëra njerëz të pranishëm kanë qenë në koncertin e shumëpërfolur të Orës në Tiranë, aty ku ajo elektrizoi skenën në mënyrë të hatashme më 6 shtator.

Më 9 tetor, ajo hap Kupën e Botës Rugby me një performancë të mrekullueshme. Ndërsa, së bashku me Bebe Rexhën e Ava Max, shfaqet magjepsëse në “MTV EMA Awards”. Në mes të skenës së MTV Ema, Ora i drejtohet Bebe Rexhës, duke i thënë: Motra ime shqiptare.

Nuk kanë munguar as edhe komplimentet për dukjet e saj, e sidomos për ato që i vesh në kopertina të njohura, siç është për shembull “L’Officiel Italia” apo “British Vogue”. Më 25 nëntor, ajo shfaqet edhe në pullat postare të Kosovës, me veshje kombëtare shqiptare. Për këtë, ajo është shprehur tejet mirënjohëse.

Së fundmi, ajo bëhet ndër artistet më të dëgjuara në botë, duke arrirë mbi 6.1 miliardë dëgjime në paltformën ‘Spotify’.

Bebe Rexha

Bebe Rexha është po ashtu artisja shqiptare e cila këtë vit shënoi gjithashtu sukses të lartë. Së pari fillon me prezantimin e saj të mrekullueshëm në “MTV VMA 2022”, e pastaj publikon edhe këngën ripërpunim të “I’m good Blue” në bashkëpunim me David Guetta, që ka arrirë sukses të lartë, duke zënë vende të para gjithandej nëpër platforma të ndryshme.

Performoi në skenën e “MTV EMAs 2022”, aty ku dhe u duk e mrekullueshme dhe e veçantë në stilin e saj, të modës dhe të këndimit.

Pikërisht në “MTV Ema” ajo fitoi çmimin për bashkëpunimin më të mirë, për këngën tashmë tejet të njohur, ‘I’m good Blue’, këngë kjo që u publikua edhe me videoklip më 21 shtator.

Së fundmi, ajo u shpërblye me trofeun e vendit të parë nga “Official Charts”. / KultPlus.com

Të ngjajshme