Artistët vendorë sjellin vepra premierë në natën e 12-të të ‘Chopin Piano Fest’

8 Qershor, 2024 - 3:18 pm

Flonja Haxhaj

Në koncertin e 12-të të ‘Chopin Piano Fest’ publiku pati mundësinë të dëgjojë vepra të stileve të ndryshme dhe nga instrumente të ndryshme në mbrëmjen e dedikuar për solistët e Kosovës, shkruan KultPlus.

Mbrëmja filloi me duo në piano nga Zana Badivuku – Basha dhe Nezahate Shala – Zeka, të cilat sollën atmosferë melankolie nën tingujt e kryeveprave të Chaminde, Piperku dhe Bizet.

Më pas, treshja Denita Dedushaj në Piano, Nita Krajku në flaut dhe Malbora Krajku në Klarinet, sollën madhështinë e veprës ‘Petite Suite’ nga Debussy.

E për fund, në skenë dolën Dardan Gjinolli në saksofon dhe Besart Shala në piano, të  cilët dhuruan momente të paharrueshme teksa interpretuan ‘Scaramouche’ të Milhaud, ‘Valse Vanite’ të Wiedoeft dhe ‘Peuena Czarda’ të Iturralde.

Pas koncertit ku u paraqit në bashkëpunim me pianisten Zana Badivuku – Basha, për KultPlus foli pianistja Nezihate Shala – Zeka, e cila përveç që vlerësoi koncertin, falënderoi edhe organizatoret për ftesën.

“Në koncertin e sotëm u ndjeva mjaft mirë, sidomos kur kemi bashkëpunime me kolegët, pra është një kënaqësi tjetër sepse mund ta ndajmë përvojnë bashkë. Veprat i kemi përzgjedhur vetë paraprakisht. Falënderojmë ‘Chopin Piano Fest’ që na kanë ftuar e sonte kaluam verte t shumë bukur”, tha Shala – Zeka.

Ndërkaq, Dardan Gjinolli i cili së bashku me pianistin Besart Shala, përmbyllën këtë koncert, u shpreh se ishte një mbrëmje ku u luajtën vepra shmë të këndshme dhe të dashura për publikun.

“Falënderoj organizatorët e ‘Chopin Piano Fest’ që na e kanë dhënë mundësinë që të vijmë dhe të luajmë vepra të cilat janë shumë të mira dhe të këndshme për veshin. Publiku ka pasur rastin që të dëgjojë një repertor shumë të mirë ku është vepra e parë ‘Scaramouche’, ‘Valse Vanite’ dhe ‘Pequena Czarda’”, u shpreh Gjinolli për KultPlus.

Për KultPlus foli edhe flautistja Nita Krajku, e cila tha se në këtë koncert po ashtu u dha për herë të parë vepra ‘Suite’ e Debussy, e përshtatur për flaut, klarinet dhe piano.

“Kemi luajtur veprën ‘’Suite’ nga Debussy që është një vepër për dy piano, por që në këtë rast ishte e aranzhuar për flaut, klarinet dhe piano, është një premierë që po luhet në Kosovë, nuk është luajtur më herët”, theksoi Krajku për KultPlus.

Ndërkaq, të dielen, më 9 qershor do  të mbahet ceremonia përmbyllëse e ‘Chopin Piano Fest’ ku do të performojë pianisti italian Giovanni Bellucci./KultPlus.com

Të ngjajshme