Arturo Toskanini, historia e një gjeniu

1 Prill, 2023 - 4:00 pm

Arturo Toskanini, lindi më 25 mars 1867 në Parma të Italisë dhe vdiq më 16 janar 1957 në Nju Jork, dirigjent italian me pasione dhe principe, konsiderohet si një prej dirigjentëve të mëdhenj virtuozë të gjysmës së parë të shekullit të 20-të. Njeriu i bindjeve muzikore dhe politike: dirigjent i famshëm, senator i përjetshëm, i njohur për shfaqjet e tij të mrekullueshme.

Toskanini studioi në konservatorët e Parmës dhe Milanos, me synimin për t’u bërë violinçelist. Në moshën 19-vjeçare, kur luante në shtëpinë e operës në Rio de Zhaneiro, ai u thirr për të dirigjuar dhe për të luajtur “Aidën” e Xhuzepe Verdit. Shumë shpejt me talentin dhe punën e tij të palodhur fitoi famë si dirigjent jo vetëm në Itali, por në mbarë botën. U emërua drejtor muzikor i “La Scala” Milano, në vitin 1898, si dhe i Metropolitan Opera, New York City, në 1908. Ai udhëhoqi Orkestrën Simfonike të Filarmonisë së Nju Jorkut nga viti 1928 në 1936 dhe orkestra u shfaq në të gjithë botën, përveç atyre të Italisë dhe Gjermanisë gjatë regjimeve fashiste. Nga 1937 deri më 1954 ai drejtoi NBC Symphony, një orkestër e sponsorizuar nga rrjeti i radiove amerikane.

Toskanini u bë i njohur kryesisht për interpretimin e operave të Verdit dhe simfonitë e Bethovenit, por edhe nga ekzekutimi i mrekullueshëm i muzikës së Vagnerit. Interpretimet e tij binin në sy sa u përket hollësive të formulimit, intensitetit dinamik, si dhe konceptit të formës thelbësisht klasik. Dirigjenti i apasionuar do mbetet i paharruar në kujtesën e anëtarëve të orkestrës, i cili, edhe pse vuante nga dobësimi i shikimit, ai vijonte të dirigjonte me atë çfarë kishte regjstruar në kujtesë. Udhëhoqi artistët që punonin nën drejtimin e tij me një përkushtim, që shpesh i bënte instrumentistët ta shihnin me syrin e një idhulli.  Ishte tipike e karakterit të tij që nëse donte të bënte diçka në jetë, atëherë dëshironte ta bënte atë në mënyrë të përkryer. Gjatë kohës që drejtoi “La Scala” (“Teatri” i tij) ai reformoi mënyrën e përfaqësimit dhe asistencën ndihmëse: kërkoi ndriçimin dhe pozicionimin e saj nëpër gjithë cepat, e përshtatshme për orkestrën, drita të lehta në sallë, eliminoi galetat, ndaloi hyrjen e të ardhurve me vonesë në sallë, kërkoi unitet midis këngëtarëve, orkestrës, korit, regjisë, skenografisë dhe kostumeve. Po ashtu, publiku u edukua ta konsideronte teatrin jo si një burim argëtimi, por si një institucion i pajisur me një funksion moral dhe estetik, që depërton në jetën e shoqërisë dhe në jetën e një kulture.

Në 1937 vijoi të debutojë sërish në SHBA, periudhë kur filloi të transmetojë edhe televizioni koncertet e mëdha të Maestros. Një audiencë e re dhe shumë e madhe filloi të dëgjonte muzikën e tij, duke e shndërruar kështu Toskaninin në një idhull të vërtetë, një makinë mediatike me efektivitet të rrallë. Fotografët nuk presin që anija e tij të ankorohej, duke e verbuar mjeshtrin nga farfuritjet e shkrepjeve të herëpashershme, por edhe duke provokuar, si zakonisht, ndonjë shpifje të tmerrshme. /konica.al/KultPlus.com

Të ngjajshme